Pagesa për paaftësinë, më shumë përfitues në skema

Publikuar më: 30/07/2013 12:30

IsshTashmë skema e përfituesve për pagesën e paaftësisë është zgjedhuar. Kështu, të gjithë personat që trajtohen me statusin e personave me aftësi të kufizuar, duhet të plotësojnë disa kushte që tu lind e drejta e përfitimit të kempit. Lidhur me këtë fakt, Gazeta “Republika” publikon të gjitha kriteret dhe dokumentacionet që duhet të plotësojnë invalidët për të përfituar pagesën e paaftësisë.

Kriteret për shpërndarjen e pagesës së paaftësisë

Personave, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikike/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar. Personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët deklarohen, me vendim të Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Pune (KMCAP), se janë të tille, pavarësisht nga shkaku dhe mosha, përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar. Personat me aftësi të kufizuara,të cilët, me vendim të komisioneve mjekësore të caktimit të aftësisë për punë, përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, përfitojnë edhe një kujdestar me pagesë. Vlerësimi i gjendjes mjekësore për personat me aftësi të kufizuara, behet nga KMCAP-i, i cili është i ngritur dhe funksionon pranë institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku merr pjesë, si anëtar me të drejtë vote, edhe mjeku, punonjës i Shërbimit Social Shtetëror. invalidët para dhe tetraplegjikë pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi. Kriteret e dhënies së dëshmisë dhe forma e saj përcaktohen në rregulloren e institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të Shërbimit Social Shtetëror. Kriteret mjekësore për vlerësimin e aftësisë së kufizuar përcaktohen në rregulloren e miratuar nga ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Invalidët e punës

Invalidët e punës, të cilët kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet, në institucionet shtetërore, ish-kooperativat bujqësore, repartet ushtarake, si dhe ushtarët e shërbimit të detyrueshëm, që vuajnë nga sëmundje profesionale a janë aksidentuar në punë apo kanë sëmundje të ndryshme, e që marrin pension invaliditeti, në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ose të ligjit nr.4976, datë 29.6.1972 “Për pensionin e ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore”, të ndryshuar, përfitojnë një shtesë mujore mbi pensionin e invaliditetit, si përfitim paaftësie, nga fondi i pagesës së personave me aftësi të kufizuar. invalidët, të cilët përfitojnë sipas të vendimit nr.381, datë 20.5.1996, të Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e ligjit nr.7889, datë 14.12.1994 “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, përfitojnë një shtesë mujore të barabartë me diferencën ndërmjet masës së përcaktuar në këtë vendim si përfitim paaftësie dhe të përfitimit të përcaktuar në vendimin nr.381, datë 20.5.1996 të Këshillit të Ministrave. Kjo shtesë u jepet invalidëve të punës pavarësisht nga të ardhurat e tjera që përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale dhe nuk llogaritet në të ardhurat e familjes. Ajo përfitohet edhe pas mbushjes së moshës për pension pleqërie. Organet e sigurimeve shoqërore dërgojnë zyrtarisht kopje të vërtetimeve të KMCAP-it për paaftësinë në punë, listën e përfituesve dhe masën e përfitimit, sipas vendimit nr.381, datë 20.5.1996 të Këshillit të Ministrave, pranë zyrave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Këto zyra përgatisin listën e përfituesve dhe urdhërpagesën, të cilat i dërgojnë në zyrat e njësive të pushtetit vendor ku invalidët kanë vendbanimin. instituti i Sigurimeve Shoqërore përgatit vërtetimin tip të KMCAP-it për paaftësinë në punë, të parashikuar në këtë vendim. Pagesa tërhiqet nga invalidi çdo muaj pranë zyrave të njësive të pushtetit vendor, duke paraqitur dokumentin e identifikimit.

Kategoritë dhe masa e përfitimit

Në bazë të Ligjit 9355 datë 10.03.2005 neni 7 “Për ndihmën dhe sherbimet shoqërore, përfitojnë pagesë paaftësie:
-Personat me Aftësi të Kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë pë punë me vendim të Komisionit Mjekësorë të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP);
-Paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të cilët deklarohen, me vendim të Komisionit Mjekësorë të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), se janë bërë të tillë pavarësisht nga shkaku dhe mosha.
-Personat, të cilët janë deklaruar invalidë pune, me vendim të Komisionit Mjekësorë të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).
Kështu pagesa për Personat me Aftësi të Kufizuar jepet në formën e një kësti mujor, në lekë. Masa e pagesës për këta individë dhe për kujdestarët e tyre përcaktohet më vendim të Këshillit të Ministrave. Aplikuesi, të cilit i refuzohet kërkesa për përfitim të pagesës për aftësinë e kufizuar, kanë të drejtë për apelim në gjykatë.

Masa e përfitimit

Masa e përfitimit për secilin grup të personave me aftësi të kufizuar përcaktohet me VKM. Të verbërit përfitojnë 9800 lekë në muaj, të verberit që vazhdojnë shkollën e mesme 19600 lekë, ata që vazhdojnë shkollën e lartë ose studimet pas universitare 29400 lekë, të verbërit që kanë humbur vendin e punës pas 1 Janarit 1991 përfitojnë 14700 lekë në muaj. Kujdestari i të verbërit përfiton 9800 lekë në muaj. Para dhe tetraplegjikët përfitojnë 8700 lekë në muaj, kur vazhdon shkollën e mesme 200 % të kësaj shume, ata që vazhdojnë shkollën e lartë ose studimet pas universitare 300 %. Përfitojnë paketën higjeno-sanitare 16000 lekë në muaj. Kujdestari i paraplegjikut përfiton 9200 lekë në muaj dhe për kohën që sherben si kujdestar është i siguruar. Personat me aftësi të kufizuar përfitojnë 8700 lekë në muaj, kur vazhdon shkollën e mesme 200 % të kësaj shume, ata që vazhdojnë shkollën e lartë ose studimet pas universitare 300 % të kësaj shume. Kujdestari i tyre përfiton 8700 lekë në muaj.
Invalidët e punës përfitojnë një shtesë mujore mbi pensionin e invaliditetit sipas grupeve :
a- 3300 lekë në muaj , nëse janë me invaliditet të plotë, nga smundje të përgjithshme;
b- 2200 lekë në muaj , nëse janë me invaliditet të pjesshëm, nga smundje të përgjithshme.
c-4000 lekë në muaj nëse janë me invaliditet të plotë, nga aksidentet në punë dhe smundje profesionale.
d- 2700 lekë në muaj nëse janë me invaliditet të pjesshëm, nga aksidentet në punë dhe smundje profesionale.
e- Familjet qe kane dy te paafte brenda saj, kujdestari i tyre paguhet me 150% te shumes.

Procedura dhe dokumentacioni për përfitimin e pagesës së paaftësisë

Personat që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, duhet të paraqesin në seksionet e ndihmës dhe të përkujdesjes shoqërore të bashkisë/komunës, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Certifikatën e gjendjes familjare;
b) Certifikatën personale me fotografi;
c) Vendimin e mëparshëm të KMCAP-it, i cili vërteton shkallën e aftësise së kufizuar të personit;
ç) Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi komisionohet për herë të parë,
d) Epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet.
Kur Personi me Aftësi të Kufizuara, i cili me vendim të komisionit mjekësor, përcaktohet se ka nevojë për përkujdesje, përveç dokumentacionit të përcaktuar duhet të paraqesë edhe këto dokumente shtesë:
a) Certifikatën personale, me fotografi, të personit kujdestar;
b) Deklaratën/vendimin gjyqësor, për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuara;
c) Raportin mjekoligjor, që vërteton se kujdestari është i aftë, fizikisht dhe mendërisht. Personat me aftësi te kufizuara, të cilët ndjekin shkollën e mesme apo shkollën e lartë, me apo pa shkëputje nga puna, përveç; dokumentacionit të përcaktuar më sipër duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:
a) Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës, ku të shënohen:
i. Emri i personit, që ndjek shkollën;
ii.Lloji i arsimit që ndjek, ku percaktohet, nëse është cikël shkollor normal ose i përsëritur;
iii.Vitin shkollor.
b) Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës për frekuentimin e shkollës nga personi përfitues (çdo tre muaj);
c) Kopjen e noterizuar të dëftesës shkollore të çdo viti dhe kopjen e noterizuar të diplomës në mbarim të shkollës së mesme apo të lartë, si dhe kopje të deshmive të kurseve të kualifikimit;
ç) Vërtetimin se ka shlyer detyrimet për çdo sezon, për shkollën e lartë, pa shkëputje nga puna.

 Edlira Mema

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.