Të drejtat e romëve, Totozani: Të ndryshojë legjislacioni

Publikuar më: 20/08/2013 16:10

 totozaniAvokati i Popullit Igli Totozani kërkoi zgjidhje juridike përfundimtare për problematikat e komunitetit rom në Shqipëri. Gjatë një takimi me specialistë, aktivistë të të drejtave të njeriut si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, Totozani tha se nevojitet një ndërhyrje në legjislacionin shqiptar në kriteret që lidhen me rregjistrimin, ndihmën ekonomike dhe programet e strehimit për romët. Sipas Avokatit të Popullit edhe pse prej disa vitesh është kërkuar ndërhyrje sërish nuk është bërë asgjë. “Nëqoftëse do të duam dhe dëshirojmë që qytetarët romë të bëhen qytetarë të vërtetë në republikën e Shqipërisë, të trajtuar në mënyrë të barabartë para ligjit megjithë qytetarët e tjerë e të trajtohen si ata, qoftë për çështjet e strehimit, qoftë për çështjet e ndihmës ekonomike, qoftë për çështjet e punësimit, qoftë për çështjet e rregjistrimit, është e nevojshme se duhen ndryshuar e zvogëluar kriteret përjashtuese për qytetarët romë, qoftë në politikat sociale, qoftë në politikat e ndihmës ekonomike, qoftë në ato të rregjistrimit”- tha Totozani. Ndërkohë kreu i Federatës së Romëve apeloi komunitetin ndërkombëtar që të marrin situatën në dorë pasi  sipas tij romët ndihen të përjashtuar nga çdo e drejtë ndërsa shteti i ka braktisur. “Merreni situatën në dorë se duke pasur mbështetjen tuaj, se ne nuk jemi të përjashtuar nga ndihma juaj, por nga shteti ynë jemi të përjashtuar”- tha Xheladin Taco, kryetar i Federatës së Romëve. Në mbyllje Avokati i Popullit paralajmëroi se së shpejti institucioni që ai drejton do të nxjerrë një raport në lidhje me situatën e romëve, pas vëzhgimit të gjendjes së tyre në terren. Sipas Totozanit një grup ekspertësh nga Avokati i Popullit ka vizituar të gjithë vendbanimet rome të Republikës së Shqipërisë, ndërsa raporti i detajuar pritet të zbardhë më në thellësi problematikat e këtij komuniteti.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.