Kumbaro: Përkthimi, akti i parë i qytetërimit

Publikuar më: 30/09/2013 14:44

mirela kumbaroMinistrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cilësoi sot përkthimin si artin e parë të qytetërimit. Në ditën ndërkombëtare të përkthimit, Ministrja Kumbaro, e cila dhe vet vjen nga ky profesion, zgjodhi të zhvillojë një bashkëbisedim me nxënës të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”.

Para nxënësve, Kumbaro tha se, “është shumë e rëndësishme të kuptojmë se përkthyesi është një ndër shtyllat e qytetërimit. Përkthim do të thotë komunikim dhe komunikim do të thotë shoqëri njerëzore, ndaj mund të themi se përkthimi është arti i parë i qytetërimit”, tha ajo.

Ministrja e Kulturës zgjodhi ta kalojë këtë ditë me nxënësit që kanë nisur bazën e përkthimit përmes studimit të gjuhëve të huaja, për tu sjellë në vëmendje, se kjo punë kërkon shumë përkushtim.

“Përkthyes nuk bëheni pas diplomimit, por pasi keni punuar shumë me mëndjen, dijen dhe emocionet tuaja. Në përkthimin letrar vetëm një përkushtim i madh mund t’ju bëj përkthyes”, – tha ajo.

Në këtë ditë të shënuar të përkthimit, Ministrja vlerësoi se ka ardhur koha të ngremë statusin e përkthyesit në statusin e krijuesit. “Nuk mund t`ju jap shifra, por mund të themi se shumica e botimeve në treg janë përkthime dhe kemi shumë pak autorë origjinal. Ka ardhur koha të ngremë statusin e përkthyesit në statusin e krijuesit. Pasi përkthyesi është ai krijues që merr përsipër të rishkruaj një vepër origjinale në një gjuhë tjetër. Ai duhet të rishkruajë dhe të rikrijojë atë. Sot përkthyesi e meriton të quhet krijues i mirëfilltë”, tha Kumbaro.

Në vijim të takimit, Ministrja e Kulturës, u njoh dhe me përkthime të pëgatitura nga nxënësit e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”.

Gjatë ditës së sotme Ministrja e Kulturës në bashkëpunim me ‘Poetekën’ do të realizojnë një takim me përkthyes, miq të letrave dhe dashamirës të letërsisë. Në këtë ditë të veçantë të përkthimit do të përkujtohet 100-vjetori i lindjes, i mjeshtrit i përkthimit Vedat Kokona, një kolos i papërtuar në punëtorinë e përkthimit.

Kokona ka sjellë në gjuhën tonë “Ana Kareninën”, “Saga e Forsajtëve”, “David Koperfildin”, falë një pune të jashtëzakonshme të tij. Ndërkohë pritet të prezantohen për herë të parë dorëshkrime origjinale të përkthyesit, letërkëmbimi me piktorin Sadik Kaceli dhe letra të punës së tij të përditshme.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.