Mësuesit, procedura e re për emërimet në punë

Publikuar më: 07/09/2013 11:38

mESUESIT E DISPOZICIONITPublikohet udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për procedurën e emërimit dhe largimit nga puna të mësuesve në institucionin arsimor publik. Kështu në mbështetje të nenit 102 pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, MASH shpall procedurën për emërimet në punë duke përcaktuar se “Drejtori i institucionit arsimor publik, brenda 5 ditëve kur vendi i një mësuesi është i lirë, shpall kërkesën për mësuesin e ri në një mjedis publik të institucionit dhe në faqen e tij zyrtare të internetit”.

Dokumentacioni i aplikimit për mësues dhe afati i dorëzimit

Kandidati për mësuesin e ri duhet të jetë në përputhje me nenin 57 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 dhe të plotësojë kriteret që përcaktohen në Kontratën Kolektive të Punës të nivelit të parë. Paketa e aplikimit për mësues përmban:
a) CV dhe kopjet që dëshmojnë pohimet në CV;
b) Tabela e të dhënave për aplikant;
c) Raporti mjeko-ligjor;
d) Dëshmia e masave disiplinore në fuqi në ngarkim të tij (nëse nuk ka, e deklaron me shkrim që nuk ka);
e) Dëshmia e penalitetit;
f) Dy rekomandime nga mësues ose drejtorë të institucioneve arsimore që kanë punuar me aplikantin. Dokumentacioni i aplikimit, i përcaktuar në pikën 1, dorëzohet pranë drejtorisë së institucionit arsimor. Afati i dorëzimit të dokumentacionit është 10 ditë pas shpalljes së kërkesës për mësues.

Ngritja dhe përbërja e Komisionit të Vlerësimit

Komisioni i vlerësimit përbëhet nga një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve. “Një nga mësuesit me përvojën më të gjatë në atë institucion drejton komisionin. Titullari i njësisë vendore arsimore cakton një përfaqësues në komision duke pasur parasysh profilin e mësuesit që kërkohet. Më pas Këshilli i mësuesve zgjedh, me votim të fshehtë, dy mësues në komision duke pasur parasysh profilin e mësuesit që kërkohet. Janë të zgjedhur mësuesit që marrin shumicën e votave, ndërkohë që anëtarët e komisionit nuk duhet të jenë në konflikt interesi me aplikantin”-thuhet në udhëzim.

Detyrat dhe puna e komisionit të vlerësimit

Komisioni mblidhet në mjediset e institucionit arsimor, jo më vonë se dy ditë pas afatit të dorëzimit të dokumentacionit të aplikimit dhe kur janë të pranishëm në mbledhje të gjithë anëtarët e tij. Anëtari i komisionit, që mungon ose është në konflikt interesi me aplikantin, zëvendësohet. Sipas anëtarit që mungon, zëvendësimi kryhet nga titullari i njësisë arsimore vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit ose këshilli i mësuesve.
Komisioni kryen këto detyra:
a) Shqyrton mangësitë e mundshme në dokumentacionin e aplikimit dhe liston aplikantët me dokumentacionin e plotë dhe të saktë, të cilët do të vlerësohen nga komisioni.
Aplikantët, që nuk pranohen, njoftohen me shkrim për mangësitë në dokumentacion.
b) vlerëson me pikë aplikantët e pranuar, sipas modelit të përcaktuar në shtojcë, bashkëlidhur këtij udhëzimi;
c)Interviston secilin aplikant për metodat e tij të mësimdhënies e nxënies dhe çdo anëtar e vlerëson me pikët nga 1 në 10;
d) Vëzhgon dy orë mësimore të zhvilluara nga secili aplikant dhe çdo anëtar e vlerëson me pikët nga 1 në 20.
-Komisioni mbledh pikët e secilit aplikant, veçon dy aplikantët me shumën më të madhe të pikëve, duke përcaktuar kështu dy kandidatët për vendin e lirë të mësuesit.
-Brenda një dite, komisioni shpall, në një vend publik në institucion, tabelat e pikëve të secilit aplikant dhe pret tri ditë për ankimimet e mundshme. Komisioni shqyrton ankimimet brenda një dite.
-Kryetari i komisionit i dorëzon drejtorit paketat e aplikimit dhe vlerësimet me pikë të dy kandidatëve.
Procedura e emërimit të mësuesit nga drejtori

Procedura e emërimit të mësuesit nga drejtori:
-Drejtori shqyrton dokumentacionin e komisionit dhe ia kthen komisionit kur gjen në to parregullsi. Komisioni ka të drejtë t’i kërkojë drejtorit të rishqyrtojë dokumentacionin.
-Drejtori shqyrton dokumentacionin e kandidatëve dhe interviston secilin kandidat në prani të nëndrejtorëve dhe, në mungesë të tyre, në prani të kryetarëve të ekipeve lëndore.
-Brenda dy ditëve nga dorëzimi i dokumentacionit nga komisioni, drejtori shpall në një vend publik të institucionit mësuesin e përzgjedhur prej tij.
-Drejtori pret dy ditë për ankimimet e mundshme dhe, me kalimin e afatit, brenda një dite emëron mësuesin.
-Vendimi për emërim i dërgohet për njoftim titullarit të njësisë arsimore vendore, mësuesit të sapoemëruar dhe kryetarit të komisionit.

Raste të veçanta

Kur nuk ka aplikant, detyrën e mësuesit e kryen përkohësisht një mësues zëvendësues, i cili punon me kontratë pune me afat. Kërkesa për vendin e lirë të mësuesit përsëritet çdo tre muaj. Kur ka më shumë se dy aplikantë me numër të njëjtë pikësh, veçohen dy kandidatët që kanë më shumë pikë për vëzhgimin e orëve mësimore.

Largimi i mësuesit nga puna

Në këtë udhëzim janë publikuar edhe rastet kur bëhet largimi i mësuesve nga puna.
Kështu drejtori e largon mësuesin nga institucioni arsimor publik në rastet e shkeljeve flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente për rastet e mëposhtme:
a) falsifikim i dokumenteve zyrtare;
b) ushtrim i dhunës fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit arsimor;
c) ngacmim seksual nxënësve ose punonjës të institucionit;
d) përvetësim i fondeve financiare ose materiale të institucionit;
e) kurse me pagesë me nxënësit që mëson ose me nxënësit e shkollës së tij;
f) marrje ryshfet;
g) dhënie kopje ose lejim i të kopjuarit në provimet kombëtare.
-Drejtori e largon mësuesin nga institucioni arsimor publik për mosarritje të nxënësve të tij sipas pikës 2/c të nenit 60 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Detajimi i pikës 2/c të nenit 60 të ligjit 69/2012 kryhet nga këshilli i mësuesve dhe përfshihet në rregulloren e brendshme të institucionit.
-Drejtori merr nismën e largimit të mësuesit nga puna kur mësuesi kryen shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, kontratës kolektive ose individuale të punës dhe të legjislacionit në fuqi.
-Drejtori konsultohet me komisionin para se të vendosë për largimin e mësuesit. Komisioni shqyrton provat që drejtori i paraqet. Kur shumica e komisionit nuk i konsideron të mjaftueshme provat, drejtori grumbullon prova të tjera, ose anulon largimin e mësuesit, ose i jep mësuesit 6 muaj provë.
Ndërkohë nga ana tjetër:
-Mësuesi ka të drejtë të dëgjohet nga drejtori dhe komisioni para se të merret vendimi i largimit të tij nga puna.
-Mësuesi ka të drejtë të dëgjohet nga bordi i institucionit para se t’i dërgojë drejtorit propozimin për largim të mësuesit.
-Kur drejtori nuk vepron si mendon shumica e komisionit, i paraqet komisionit me shkrim argumentet e tij. Shkresa arkivohet.

OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.