Regjistrimi i maturantëve në Universitete, gabimet që i skualifikojnë

Publikuar më: 22/09/2013 13:49

universitetDitën e hënë, në mesnate pritet që të mbyllet faza e regjistrimit paraprak online për të gjithë kandidatët fitues në Universitetet publike në vend. Procedura e regjistrimit nisi në datën 19 shtator, ndaj maturantëve fitues nuk u ka ngelur shumë kohë nga afati i vënë ne dispozicion nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Të gjithë fituesit kanë të drejtë të regjistrohen duke ndjekur procedurat në faqen përkatëse që ka vendosur Agjencia Kombëtare e Provimeve, dhe kanë të drejtë të aplikojnë vetëm një herë. Në rast se gjatë procesit të regjistrimit do të konfirmohen gabime, atëherë të gjithë të rinj do t’u drejtohen sekretarive përkatëse të universiteteve për të kryer regjistrimin. Pas 23 shtatorit pritet të shpallet lista përfundimtare e fituesve në universitete dhe vetëm pas kësaj faze do të shpallen kuotat që nuk janë realizuar. “Maturantët që rezultojnë fitues në këtë fazë, duhet të regjistrohen sa më parë online, në mënyrë të tillë që të shmangin çdo lloj paqartësie në moment se ata vërejnë se hasin një problem të tillë. Nëse rezultojnë se kanë kryer një aplikim të gabuar, siç mund të jetë vendosja e të dhënave të personale gabim, apo dhe të kartës së tyre të identifikimit, duhet të paraqiten sa më parë nëpër fakultetet ku ata kanë rezultuar fitues”- kështu shprehet burime nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ndërkohë, nga ana tjetër shumë maturantë kanë qenë të paqartë sa i takon regjistrimit online, pasi ka pasur dhe keqkuptime në disa raste. “Në momentin që një maturantë është shpallur fitues në një degë, e cila rezulton të jetë preferenca e 5 e listuar dhe plotëson formularin online, duke cekuar opsionin se do të vijojë fazën e konkurrimit për një preferencë më të lartë, ai në rastin më të keq, nëse nuk shpallet fitues në preferencën e 4 apo 3, nuk e humbet të drejtën e ndjekjes së studimeve të degës që ishte shpallur fitues në fazën e parë”- theksojnë më tej burimet.

Rregullat që duhet të kenë parasysh kandidatët fitues

Maturantët në këtë fazë duhet të kenë kujdes disa nga rregullat që i përcakton qartë dhe udhëzimi i publikuar nga Ministra e Arsimit dhe Sporteve, pasi asnjë maturant nuk duhet të neglizhojë në regjistrim. Në rastin kur një maturanti i ka dalë alternativë e tretë dhe atij nuk i pëlqen dhe për këtë nuk pranon të regjistrohet, atij i digjen mundësitë për të shkuar në alternativën e dytë e kështu më radhë. Regjistrimi është i domosdoshëm sikur të jetë edhe në alternativën e dhjetë ky regjistrim duhet bërë me patjetër nga maturanti. Në të kundërt, atij i digjet çdo mundësi për të vazhduar studimet këtë vit akademik, nëse nuk do të bëjë regjistrimin ai nuk do të ketë më asnjë shans. Maturantët duhet të kenë kujdes që të bëjnë regjistrimin paraprak dhe po ashtu të bëjnë dhe regjistrimin përfundimtar. Kështu, maturanti që është shpallur fitues duhet të përcaktojë që do të qëndrojë në degën që po regjistrohet. Ai nuk mund të përzgjidhet më për tu ngjitur në preferencën tjetër nëse ai nuk e ka përcaktuar qartë që do të rrijë tek ajo preferencë apo nuk do të rrijë.

Maturantët që nuk janë shpallur fitues

Në këtë fazë pritet ashtu si dhe në vitet e kaluara t’u jepet një mundësi atyre që nuk kanë fituar një vend në universitete, nëpërmjet formularit A3. Megjithatë ende nuk dihet se do të ketë të njëjtin format dhe si do të plotësohet ai. Ditën e martë u shpallën nga Agjencia Kombëtarë e provimeve fituesit e fazës së parë të universiteteve, të cilët janë rreth 30 mijë. Por ky nuk do të jetë numri përfundimtar i atyre që do të ndjekin arsimin e lartë, pasi gjatë fazës së parë ka të rinj që nuk regjistrohen por edhe nga ata që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, të cilët përafërsisht shkojnë në rreth 4000 mijë studentë që kanë shfaqur preferencat për të ndjekur studimet jashtë vendit.

Procedura e plotësimit të formularit online

Kështu, sipas tij kandidatët për të kryer regjistrimin online duhet të shkojnë linkun: http://matura.akp.gov.al; “Për t’u regjistruar në fakultet, në fazën e parë, duhet të klikoni butonin: “Regjistrohu”. Pasi klikoni te ky buton në adresën tuaj të email-it do t’ju dërgohet një mesazh konfirmues, i cili ju njofton se jeni regjistruar tek programi i studimit në të cilin jeni shpallur fitues. Studenti/ja, gjatë javës së parë të frekuentimit të studimeve universitare në programin e studimit ku është shpallur fitues , dorëzon pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës, dokumentet plotësuese të mëposhtëm:
a)Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm
fotokopja e njërit prej dokumenteve të identifikimit;
b) 2 fotografi;
c) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar pranë zyrave të postës shqiptare, për llogari të IALP-së përkatëse”-thuhet në udhëzim. Regjistrimi i fituesve në universitete, kur mbyllet afati.

Edlira Mema

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.