Studimet part-time, procedurat për aplikim

Publikuar më: 28/09/2013 12:25

universiteti politeknikVijon aplikimi për regjistrim në ciklin e parë të studimeve, me kohë të pjesshme, në të gjithë institucionet Publike të Arsimit të Lartë. Kështu, kandidatët kanë afat për tu regjistruar deri në datën 16 tetor, pranë sekretarive mësimore. Lidhur me këtë fakt, Gazeta “Republika”, publikon udhëzimin e plotë mbi procedurën e regjistrimit dhe kriteret e pranimit për këtë studimet part-time. Kështu, në mbështetje të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vendimit nr. 674, datë 7.8.2013 të Këshillit të Ministrave “Për kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, në vitin akademik 2013-2014”, si dhe vendimit nr. 241 të Këshillit të Ministrave, datë 31.3.2011 “Për kryerjen nga Posta Shqiptare sh.a., të shërbimeve postare, financiare dhe shërbimeve të tjera, që janë në përputhje me veprimtarinë e kësaj poste, për institucionet e qeverisjes qendrore e vendore, institucionet e tjera publike, si dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror”, u miratua ky vendim.

Afati i aplikimit për ciklin e parë të studimeve në distancë

Aplikimi i kandidatëve në programin e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, ka nisur nga data 18.9.2013 deri në datën 16.10.2013, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të IAL-ve publike. institucionet publike të arsimit të lartë do të shpallin dhe të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 16:00 të datës 20.10.2013 të ndarë sipas programeve të studimit përkatës. Më pas regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 21.10.2013 deri në datën 24.10.2013, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë.

Udhëzimi:

Në udhëzim përcaktohet se i aplikantëve në programet e studimit të ciklit të parë, në formën e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë në institucionet e arsimit të lartë (IAL) publike, në vitin akademik 2013-2014, bëhet në bazë të përzgjedhjes së bërë nga IAL-të publike, sipas kritereve të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht. Nuk pranohen aplikime nga kandidatë të shpallur fitues me formularët A2 dhe A3, të regjistruar në listat përfundimtare.
Kuotat e miratuara me vendimin nr. 674, datë 7.8.2013 të Këshillit të Ministrave do të përdoren:
a) Në masën 70% për studentë që nuk janë regjistruar në asnjë program studimi ose nuk kanë përfunduar një të tillë në IAL-të publike me kohë të plotë ose të pjesshme;
b) Në masën 30%, si program i dytë studimi, për kandidatë që kanë përfunduar një program studimi universitar.
Njësitë kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë organizojnë procesin e pranimit dhe të regjistrimit të aplikantëve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë. Procesi të monitorohet nga rektoratet dhe Drejtoria e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ndërkohë, institucionet publike të arsimit të lartë do të shpallin menjëherë hapjen e procedurës së aplikimit të kërkesave për kandidatët që dëshirojnë të studiojnë programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë. Këto njoftime të bëhen publike në median e shkruar dhe elektronike nga institucionet publike të arsimit të lartë. Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, do të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Fotokopje të noterizuara të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve që është kalues në provimet me zgjedhje.
b) Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Në dosje të mbahet fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës;
c) 2 fotografi;
d) Mandat arkëtimi i tarifës së regjimit prej 1.600 lekësh, paguar në Postën Shqiptare.
e) Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme të institucionet e arsimit të lartë publik.
Në qoftë se kandidati nuk ka diplomë të maturës shtetërore apo dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të saj, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/zyra arsimore përkatëse ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, duhet të dorëzojë edhe vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve që është kalues në provimet me zgjedhje.

Kandidatët që aplikojnë në program të dytë studimi

Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore, përveç dokumentacionit të pikës 4, edhe diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit (ose fotokopje të saj të noterizuar), të vlerësuar si të barasvlershme me të në Shqipëri. Këta kandidatë nuk kanë detyrim të dorëzojnë vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për provimet me zgjedhje. Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në Universitetin e Sporteve të Tiranës, përveç dokumentacionit të pikës 4 dhe 5 të këtij udhëzimi, duhet t’u nënshtrohen edhe kritereve të veçanta (konkurseve të pranimit), të vendosura nga ky institucion, për pranimet në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të bëra publike paraprakisht. institucionet publike të arsimit të lartë, duke filluar nga data 16.9.2013, të shpallin në vende të dukshme datat dhe oraret e veprimeve të aplikimit dhe të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe njoftime të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë.

Regjistrimi i kandidatëve fitues

Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet vetëm me diplomën e Maturës Shtetërore dhe dëftesën e pjekurisë origjinale të shkollës së mesme, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 5 të këtij udhëzimi. Dokumentet e kandidatëve jofitues t’u kthehen personave kundrejt kërkesës. Ndërkohë, pas mbylljes së procesit të regjistrimit, institucionet publike të arsimit të lartë do të dorëzojnë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP), listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar, për të marrë numrin e matrikullimit. Kandidatët që rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi të ciklit të parë ose të dytë, me kohë të plotë apo të pjesshme, në IAL-të publike, nuk marrin numër matrikullimi. AKP-ja pas verifikimit u kërkon IAL-ve t’i çregjistrojë ata. Për kandidatët nga Republika e Kosovës, si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të cilët do të aplikojnë direkt pranë IAL-ve publike, ndiqet e njëjta procedurë, si dhe për kandidatët brenda vendit.

Aplikimet për “Master Profesional” në Universitetin e Mjekësisë

Vijon aplikimi për Masterat profesional, me kohë të pjesshme, në Universitetin e Mjekësisë. Lidhur me këtë fakt, Gazeta “Republika”, publikon procedurën e pranimit dhe regjistrimit për ciklin e dytë të studimeve, si dhe kuotat dhe tarifat e studimit. “Në vijim të procedurave të pranimit dhe regjistrimit në vitin e ri akademik 2013-2014 për ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional” me kohë të pjesshme, bazuar në Vendimin nr. 743, datë 05.09.2013, të Këshillit të Ministrave “Për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të Arsimit të Lartë, për ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, për vitin akademik 2013- 2014″, dhe në mbështetje të Udhëzimit Nr. 50, datë 20.09.2013, të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve “Për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, në institucionet Publike të Arsimit të Lartë, në vitin akademik 2013-2014”, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë informon studentët mbi procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike”- thuhet në udhëzimin e publikuar nga Universiteti i Mjekësisë.

Kur mbyllen aplikimet për master

Aplikimet për regjistrim në programet e studimit të ciklit të dytë, “Master Profesional” me kohë të pjesshme bëhen pranë sekretarisë mësimore të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Regjistrimet kanë nisur nga 23.09.2013 dhe do të vazhdojnë të jenë të hapura deri në datën 7 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Fotokopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve të shoqëruar me listën origjinale të notave;
b) Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Në dosje do të mbahet fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës.
c) 2 fotografi;
d) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit 2.500 lekë, paguar në Postën Shqiptare;
e) Deklaratë e kandidatit që vërteton se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë në institucionet publike të Arsimit të Lartë.

Si do të bëhet përzgjedhja

Pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë për çdo program studimi të ciklit të dytë “Master Profesional” me kohë të pjesshme do të ngrihen komisione të posaçme, sipas fushave përkatëse, për përzgjedhjen e aplikantëve fitues në përputhje me kriteret e pranimit të vendosura dhe të shpallura publikisht. Ndërkohë, brenda orës 16.00, të datës 20.10.2013, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë do të publikojë dhe afishojë listat e aplikantëve fitues në faqen zyrtare të internetit www.umed.edu.al dhe në mjediset e sekretarive mësimore të dy Fakulteteve përkatëse, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve, te miratuara sipas Vendimit nr.743, datë 05.09.2013, të Këshillit të Ministrave.

Regjistrimi përfundimtar i fituesve

Regjistrimi i aplikanteve në programet e studimit ku janë shpallur fitues do të zhvillohet nga data 21.10.2012 deri në datën 28.10.2012, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarisë mësimore të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Dokumentet e aplikantëve jo fitues do t’u kthehen aplikuesve kundrejt kërkesës së tyre.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.