Testamentet, procedura e re e regjistrimit

Publikuar më: 10/09/2013 10:43

testamentTashmë çdo qytetari që i nevojitet një dëshmi trashëgimie nuk do të endet më dyerve të gjykatave por do ti kryejë veprimet procedurale pranë noterit. Kështu ndryshimet në Kodin Civil, që kanë hyrë në fuqi më 1 Shtator janë bërë pjesë e punës së noterëve, në zyrat e të cilëve janë depozituar dhe kërkesat e para për marrjen e “Dëshmive të Trashëgimisë”. Në një prononcim për mediat, përfaqësues nga Dhoma Kombëtare e Noterisë shpjegojnë se tashmë është krijuar Regjistri Kombëtar i Trashëgimisë, në të cilin ka akses çdo noter. Sipas tyre me këto procedura të reja, qytetarët do të kursejnë më shumë kohë dhe para.

Urdhri i Ministrisë së Drejtësisë

Publikohet urdhri i Ministrit të Drejtësisë për përcaktimin e rregullave të hollësishme për regjistrin kombëtar të testamenteve dhe regjistrin komëbat të dëshmive trashëgimisë. Kështu, në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës, të ligjit nr. 8678, datë 14.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar dhe të paragrafit të tretë të nenit 70/1 të ligjit nr. 7829, datë 1.6.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar, publikohen rregullat që do të ndiqen. “Noterët në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë përdorin Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë për regjistrimin respektivisht të
të gjitha testamenteve, si dhe të dëshmive të trashëgimisë ligjore apo testamentare.
-Në formatin letër:
a) testamentet regjistrohen në regjistrin e testamenteve;
b) dëshmitë e trashëgimisë regjistrohen në regjistrin e përgjithshëm ku regjistrohen të gjitha aktet dhe veprimet noteriale.
Në formatin elektronik Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i
Dëshmive të Trashëgimisë janë pjesë përbërëse e regjistrit elektronik noterial “Regjistri Noterial Shqiptar – RNSH”. Aksesimi dhe përdorimi i Regjistrit Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrit Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë, bëhet në të njëjtën mënyrë siç përshkruhet në Manualin e Përdoruesit “Regjistri Noterial Shqiptar – RNSH faqja web”, miratuar me urdhër të veçantë të Ministrit të Drejtësisë” thuhet në urdhrin e ministrit të Drejtësisë.

Hapat për regjistrimin e një akti “dëshmi trashëgimie”

Hapat për regjistrimin e një akti “dëshmi trashëgimie” janë të njëjtë me regjistrimin e një
shërbimi ekzistues noterial në sistemin RNSH si vijon:
a) Regjistrohet një akt/veprimi i ri noterial në sistemin RNSH;
b) Zgjidhet një nga shërbimet për dëshmitë të trashëgimisë, që janë:
i) Lëshimi i dëshmisë së trashëgimisë ligjore; ose
ii) Lëshimi i dëshmisë së trashëgimisë testamentare;
c) Plotësohen të dhënat e aktit në të gjitha rubrikat e parashikuara në sistem, në të njëjtën
mënyrë si për një akt noterial;
ç) Për të parë të dhënat e regjistrit të dëshmive të trashëgimisë klikohet menuja “Regjistri
Noterial” dhe pastaj tek futesh tek lista “Regjistri Kombëtar i Dëshmive të Trashëgimisë”. Kërkimi në regjistër është i njëjtë me metodën e kërkimit të akteve të tjera noteriale dhe në sistem, për Dhomën Kombëtare të Noterisë, shfaqet lista e dëshmive të trashëgimisë të lëshuara nga të gjithë noterët në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Hapat për regjistrimin e një akti “testament”

Hapat për regjistrimin e një akti “testament” janë të njëjtë me regjistrimin e një shërbimi
ekzistues noterial në sistemin RNSH si vijon:
a) Regjistrohet një akt/veprimi i ri noterial në sistemin RNSH;
b) Zgjidhet një nga shërbimet për testamentet, që janë:
i) Testament – depozitim testamenti;
ii) Testament – përpilimi në zyrë;
iii) Testament – përpilimi në shtëpi;
iv) Revokim testamenti deklaratë; ose
v) Procesverbal i çeljes së testamentit;
c) Plotësohen të dhënat e aktit në të gjitha rubrikat e parashikuara në sistem, në të njëjtën
mënyrë si për një akt noterial.

Sipas urdhrit të ministrit të Drejtësisë “Afati për hedhjen në regjistrin elektronik të të gjitha testamenteve të përpiluara/depozituara përpara hyrjes në fuqi të këtij urdhri, përcaktohet nga Dhoma Kombëtare e Noterisë. Dhoma Kombëtare e Noterisë merr të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e këtij urdhri të gjithë noterëve, si dhe mbikëqyr mënyrën e zbatimit të tij. Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë të ndjekë zbatimin e këtij urdhri, duke ushtruar kontrolle të herëpashershme mbi përdorimin e Regjistrit Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrit Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për njoftimin e këtij urdhri dhe ndjekjen e zbatimit të tij”- thuhet në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë.

Osman Dedja

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.