EKSKLUZIVE/ Demir Osmani: Aksidentet rrugore, masat që duhet të merren

Publikuar më: 15/10/2013 19:35

demiriNumri i aksidenteve në vend po rritet çdo ditë e më shumë. Kjo pasi në shumë raste, vetë drejtuesit e mjeteve nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Por aksidentet, ndodhin për shumë arsye, të cilat i shpjegon gjatë një interviste për Gazetën “Republika”, Demir Osmani, Kryetar i Shoqatës “Qytetare të Sigurisë Rrugore”. Ai bën me dije se: “Sipas të dhënave nga Policia Rrugore për vitin 2012 kanë ndodhur 1994 aksidente, ku vetëm për gjashtë mujorin e pare kemi 1 mijë aksidente, ku janë përfshirë 1275 persona, me pasojë 187 të vdekur dhe 1088 të plagosur e të lënduar për 6 muaj. Humbjet e jetës nga aksidentet rrugore arrijnë mesatarisht 350 qytetar në vit, të plagosen mbi 2000 të tjerë, prej të cilëve rreth 600 mbesin me aftësi të kufizuara dhe problem të vazhdueshme shëndetësore. Sipas tij, një ndër fenomenet që ndodh rëndom në Shqipëri është fakti se prindërit rrezikojnë duke mbajtur në vend të parë të automjetit të tyre fëmijët, nën moshën 12 vjeç, pas asnjë mjet i cili siguron jetën e tyre.

- Aksidentet rrugore janë bërë një shqetësim për  qytetarët; – përse kjo situatë në rrugët tona?

Aksidentet rrugore ndodhin në të gjitha vendet e botës. Përderisa në rrugë qarkullojnë mjete, këmbësor dhe kafshë njëkohësisht, do të ketë aksidente. Aksidentet vijnë nga gabimet që bëjnë përdoruesit e rrugës në qarkullimin rrugor. Pranohet nga të gjithë se gjatë qarkullimit rrugor do të bëhen gabime, kështu që do të ketë edhe aksidente. Problemi është se: në vendin tonë aksidentet rrugore ndodhin shumë shpesh,  ato janë   të dhunshme, marrin shumë jetë të pafajshme, sidomos të rinj e fëmijë, krijojnë tragjedi të mëdha në familjet tona, prodhojnë dhimbje, lot, varfëri, konflikte sociale, pasiguri duke e ulur ndjeshëm cilësinë e jetës.

- Si ka qenë trendi i tyre?

Numri i aksidenteve rrugore çdo ditë e më tepër është në rritje, ku sidomos stina e verës njeh kulmin e saj. Sipas të dhënave nga Policia Rrugore për vitin 2012 kanë ndodhur 1994 aksidente, ku vetëm për gjashtë mujorin e pare kemi 1 mijë aksidente, ku janë përfshirë 1275 persona, me pasojë 187 të vdekur dhe 1088 të plagosur e të lënduar për 6 muaj.. Nga viti ne vit ky trend ka ardhur duke u rritur, çka tregon për,  punë shumë të dobët të gjitha strukturave përkatëse të shtetit dhe efektivitet të ulët të punës sensibilizuese të organizatave tona. Në vitin 2005, mesatarisht humbnin jetën nga aksidentet rrugor rreth 280 qytetar, pas 8 vjetësh të qeverisjes të të djathtëve, ko shifër u rrit edhe më tej. Humbjet e jetës nga aksidentet rrugore arrijnë mesatarisht 350 qytetar në vit, të plagosen mbi 2000 të tjerë, prej të cilëve rreth 600 mbesin me aftësi të kufizuara dhe problem të vazhdueshme shëndetësore. Kjo ndikon në rritjen e familjeve të varfra. Krijon shpesh herë problem të rënda shoqërore e sociale si: fëmijë jetim, hasmëri të reja, vrasje e vetëvrasje, etj.

 

- Edhe në vendet rreth nesh, është kjo gjendje e aksidenteve rrugore?

Jo, nuk është kjo situatë kaq alarmante. Në Europë megjithëse shkalla e motorizimit është 4 herë më e lartë se tek ne, numri i aksidenteve është 2 deri në 5 herë më i vogël  për numër të popullsisë dhe numër mjetesh. Kjo do të thotë se vende si Suedia, Finlanda, Anglia,  e kanë numrin e aksidenteve 5 herë më të vogël se ne, e vendet si  Maqedonia, Greqia, Kosova,  e kanë 2 herë më të vogël.  Më shqetësuese është fakti se, dhuna që ushtrohet nga aksidentet rrugore është shumë më e madhe, që do të thotë se numri i të vdekurve dhe plagosurve rëndë për numër aksidentesh rrugore është rreth 2, 7 herë herë,  më i madh se në çdo vend tjetër të Europës. Viti që shkoi, vetëm pranë vijave të bardha në vendin tonë, u vranë  35 këmbësor,  gjë që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Europës. Këmbësori në vijat e bardha është “mbret” i rrugës, edhe aty ai goditet, bile dhunshëm, nga disa drejtues mjetesh. Por, edhe këmbësorët, jo gjithmonë e kapërcejnë rrugën në vendet e lejuara dhe të sigurta, duke u bërë shkasë për pengesa të trafikut dhe precedent të rrezikshëm për aksidente rrugore. Pra,  marrëdhëniet midis drejtuesve të mjeteve dhe çiklistëve në rrugët tona janë shumë të acaruara, e cila bënë që biçikleta të përdoret shumë pak në qarkullimin rrugor, megjithëse është shumë më e shëndetshme se autovetura. Prindëri shqiptar, shpesh herë fëmijët nën moshën 12 vjeç i ulin në sedilje të parë të autoveturës, si në asnjë vend tjetër të botës. Për fëmijët nën moshën 4 vjeç, nuk përdorin ndenjësen fiksuese profesionale. Nuk është bërë edukatë vendosja e rripit të sigurimit dhe e kaskës mbrojtëse në kokë, etj. Edhe në rrugët e Tiranës sheh skena të garave të shpejtësisë nga të rinjtë me autovetura e motorra, që shpesh shoqërohen me zhurma të therëse, përpara syve të policisë, me motor transportues te picave qe ecin si pilot të vdekjes, etj.

- Nga se vjen kjo situatë e aksidenteve në vendin tonë ?

Siç thashë edhe më larat, aksidentet rrugore kanë bazë gabimet njerëzore. Gabimet bëhen shesh herë nga padija, bëhen nga mosvlersimi i situatave që krijohen në rrugë gjatë qarkullimit, nga mos zbatimi i ligjit, nga nxitimi, nga të metat teknike të mjeteve, nga të metat teknike të rrugëve, nga keq konceptim i shkallës së lirisë,  pra  nga  niveli  i ulët i zhvillimit kulturor të shoqërisë, etj. Ne, jemi shoqëri që për edukimin rrugor trashëgojmë shumë mangësi. Vetëm 20 vjet më parë, drejtimi i mjetet ishte një risi, që nuk i lejohej çdo qytetari që plotësonte kushtet psikofizike të pajisej me lejedrejtimi mjeti. Këtë të drejtë e kishin vetëm rreth 5 % të popullsisë. Pas viteve 90 kjo barrierë u hoq, dhe jo vetëm të rinjtë vërshuan nëpër autoshkolla, por edhe pjesa e moshuar e shoqërisë. Sot rreth 35% e qytetarëve shqiptar e kanë marrë lejedrejtimin e mjetit. Në këtë vërshim për të marrë lejedrejtimin e mjetit, ndodhën shumë fenomene negative në procesin e përfitimit të të drejtës për të drejtuar mjet. Kështu që na u krijua një bashkësi drejtuesish mjetesh prej rreth 650 mijë qytetarësh, jo shumë cilësore, një pjesë e të cilëve janë problematik e bëjnë shumë aksidente rrugore. Nga ana tjetër, rritja e shpejtë e qarkullimit të mjeteve në rrugë, nuk u shoqërua me edukimin e qytetarëve në shkollë me programe mësimore për njohjen e zbatimin e edukatës rrugore, sidomos të këmbësorëve, çiklistëve, ciklomotorve, etej.

- Po, rrugët  a  bëhen shkak për aksidente rrugore?

Karakteristikat e rrugës janë një element i rëndësishëm i sigurisë rrugore. Në rrugë në moment të veçanta gjenden njëkohësisht, mjetet, këmbësorët, kafshët, punëtorët e mirëmbajtjes, policët rrugor e deri pastruesit e saj. Për secilin ka rregulla të caktuara veprimi, por ka edhe hapësira të ndara që i lejohet të lëviz me radhë. Në kohë dhe hapësirë, ka kufij të lejuar e ndaluar për lëvizjen e qëndrimin e tyre, ka sinjale që paralajmërojnë rreziqe, ka sinjale që përcaktojnë radhën e veprimit të secilit aktor, ka edhe arbitër që vrojton, monitoron veprimin e secilit, por edhe ndëshkon me masa administrative e penale  ato që shkelin rregullat, në vartësi të shkallës së rrezikshmërisë e pasojave që sjell. Rrugëve tona, fatkeqësisht, në shumicën e rasteve i mungojnë këto element kryesore të sigurisë, që shpesh herë ne i quajmë standardet e sigurisë. P.sh, pothuajse, në të gjitha qendrat e banuara mungojnë vijat e bardha për kapërcimin e rrugës nga këmbësorët, ato mungojnë edhe pranë shkollave, spitaleve, këndeve të lojërave, vendeve turistike, ose pothuajse, në të gjithë qytetet tona trotuaret, që janë vendet e lejuara vetëm për qarkullimin e këmbësorëve, janë të zëna nga biznese të ndryshme, apo shumë kryqëzime nuk kanë semafor. Problematike janë disa rrugë të ndërtuara për të lejuar shpejtësi të madhe lëvizje, deri në 80 e 90 km/orë, pasi mungojnë: barrierat mbrojtëse, koristë e hyrjeve dhe daljeve, trafikndarësit e pa kapërcyeshëm, nënkalimet e mbikalimet për këmbësorët, kafshët e mjetet bujqësore. Problem mbetet jo vetëm standardi i ndërtimit, por edhe ai i mirëmbajtjes së tyre. P.sh. Vijat e bardha, që janë një element shumë i rëndësishëm në qarkullimin rrugor, tre muaj pas inaugurimit të një rruge nuk ekzistojnë më, barrierat që dëmtohen nuk i riparohen, kufizuesit anësor fosforeshent ose nuk vihen fare, ose edhe nëse dëmtohen nuk zëvendësohen, etj.

- Kohët e fundit janë ndërtuar shumë rrugë të reja?

Kohët e fundit janë derdhur shumë para për ndërtimin e rrugëve të reja, por fatkeqësisht asnjëra nuk ka përfunduar sipas projektit, dhe nuk plotësojnë standardet e sigurisë rrugore. Rrugët janë një e mirë për të gjithë, ato ndihmojnë për zhvillimin ekonomiko -  shoqëror të banorëve të krahinave që përshkojnë, por nëse ato nuk plotësojnë standardet e sigurisë shëndrohen në makth, stres e shqetësim për jetën e banorëve që jetojnë e ushtrojnë veprimtarinë pranë tyre. Të gjithë jemi dëshmitar sa shumë shqetësime u ka krijuar familjeve të zonës Fushë-Krujë  -  Milot, aksi rrugor me të njëjtin emër. Ky aks është bërë me kuptimin e plotë të fjalës një varrezë (pasi aty,  numri i te vdekurve nga aksidentet e ndodhura i ka kaluar 1000 qytetar që nga viti 1992), dhe ende sot ky segment rrugor nuk ka përfunduar së ndërtuari, megjithëse për çdo ditë ndodhin aksidente fatale. Po kështu aksi Rrugor Plepa – Kavajë, aksi rrugor, Lushnjë – Berat, Levan – Tepelene etj, që janë akse rrugor me trafik të dendur dhe numër të madh aksidentesh, nuk kanë përfunduar, janë bërë copa,copa, duke rrezikuar në çdo çast  jetën e përdoruesve të saj. Problem mbetet edhe kategorizimi konkret i rrugëve në përputhje me  përcaktimeve që bënë Kodi Rrugor Shqiptar. Ne, ende nuk kemi ndërtuar asnjë kilometër autostradë, por në shumë segmente rrugore kemi vënë sinjale që vendosen në autostrada, e që lejojnë të qarkullosh me shpejtësi maksimale 110 km/orë. Patëm ngritur taksë forcë për autostrada e “superstrada”, ndërkohë që autostrada nuk kemi, e termi superstradë nuk ekziston në përcaktimet tona rrugore. Bëjmë rrugë të gjëra në zona që kalon një makinë në ditë, e nuk zgjerojmë segmentet që kanë trafik të rënduar, ndërtojmë rrugë për automjete në qendrat e banuar, e nuk bëjmë trotuar për këmbësorët etej, etej.

- Përgatitja e drejtuesve të mjeteve, a vazhdon të mbetet problem, si disa vite më parë?

Po, kam shkruar para 6 vjetësh, se po hapen autoshkolla edhe në kafene. Liçenca e autoshkollës u liberalizua shumë, autoshkollës filloj t’i bije serioziteti e autoriteti, pasi autoshkolla filluan të hapin të gjithë shoferët që nuk gjenin punë. Njëkohësisht vendin e seriozitetit të testimit të kandidateve për drejtues mjeti, e zuri paraja, korrupsioni, miku e tarafi, duke u krijuar autoshollave serioze dhe të konsoliduara, një konkurrencë të madhe të pandershme, dhe vështirësi të mëdha financiare e deri të ekzistencës së tyre. Testet e provimeve të teorisë filluan ti bëjnë njerëz jo profesionistë, duke krijua shpesh herë problem në verifikimin e njohurive të nevojshme për të drejtuar mjet. Kurse, praktikën për të mësuar teknikën e drejtimit të mjetit, e reduktuan komisionerët me një 10 mijë lekëshe nën dorë. Nga ana tjetër, vetë zhvillimi shoqëror e përpjekjet e shoqërisë civile e subjekteve private, kanë bërë që sot të ketë tekste shumë më të mira e të plota për përvetësimin e edukatës rrugore, programe kompjuterike të avancuara, një zgjim më të madh të qytetarëve për ta mësuar edukatën rrugore dhe përvetësuar teknikën e drejtimit të mjetit.

- Tashmë ka nisur aplikimi i patentës me pikë, a do të ketë ajo ndikim në uljen e aksidenteve rrugore?

Që në vitin 2006, ne kemi botuar në revistën “Siguria Rrugore”, një shkrim për domosdoshmërinë e futjes në sistemin tonë të lëshimit të lejedrejtimit të mjetit, lejedrejtimin me pikë, ose siç thuhet më shkurt “patenta me pikë”. Lejedrejtimi me pikë, në koncept nuk është një qjë e re, por e përafërt me lejedrejtimin që merrej para viteve 90, por ajo atëherë kishte tre lata. Nëse i humbisje të tre latat, si rezultat i gabimeve që bëje në qarkullimin rrugor, humbisje të drejtën për të drejtuar mjet . Tanimë, lejedrejtimi i mjetit ka gjithsej 20 pikë, dhe nëse i humbet ato si rezultat i gabimeve që bënë në qarkullimin rrugor, humbet të drejtën për të drejtuar mjet. Për të përfituar këtë të drejtë përsëri, duhet të rikthehesh në autoshollë, të përvetësosh programin mësimor të diferencuar dhe t’i nënshtrohesh testimit, siç bëjnë kandidatët e ri për drejtues mjeti. Nëse, për çdo dy vjet rresht nuk ke humbur asnjë pikë, në lejedrejtim të shtohen nga dy pik të tjera, deri sa të bëhen 30 pikë. Parlamenti Shqiptar që në vitin 2011, ngarkoj Ministrinë e Punëve Publike e Transportit dhe Ministrinë e Brëndshme që deri me Qershor të vitit 2013, të fusin në sistemin tonë të qarkullimit rrugor lejedrejtimin me pikë, por fatkeqësisht kjo ende nuk është realizuar teknikisht. Por ende nuk vërejmë përpjekje për përgatitjen e kualifikimin e një stafi që do ta implementoj atë praktikisht në tërë sistemin tonë të policisë së qarkullimit rrugor, tek drejtuesit e mjeteve, autoshkollat e deri tek arkiva kombëtare e drejtuesve të mjeteve. Mendoj se mbetet detyrë e qeverisë së re, të rishikoj edhe një herë vendimin e qeverisë që përcakton llojet e shkeljeve dhe sasinë e pikëve që hiqen, pasi në atë mënyrë siç është bërë deri më tani, është praktikisht i pa zbatueshëm.  Nëse do të hartohet e zbatohet korrekt, do të ndikoj në parandalimin e aksidenteve rrugore, duke nxjerrë nga trafiku rrugor drejtuesit e mjeteve më problematik, dhe ato që janë më të prirur për të qenë shkaktar të aksidenteve rrugore.

- Bilancet e numrit të aksidenteve janë të larta. Sipas jush cilat janë disa nga masat që duhet të marrë qeveria e re sa i takon rritjes së sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve?

Nga viti 2004 e deri më sot aksidentet rrugore janë dyfishuar, dhe numri i qytetarëve që humbin jetën apo plagosen është rritur me rreth 30%, ndërkohë që premtimi i para 8 vjetëve ishte të zvogëlohen deri në 50 % në vitin 2013, në krahasim me ato të vitit 2004. Programi i qeverisë së re, mesa jam në dijeni, ka përcaktuar disa masa mjaft konkrete për ta frenuar ketë revansh që kanë marrë aksidentet rrugore në rrugët tona, duke ulur numrin e tyre me 20% në fund të mandatit të saj.

- Së pari, është planifikuar dhe po advokojmë ne si shoqëri civile me mbështetjen e institutit Demokratik Amerikan, që “Edukata Rrugore” të hyjë menjëherë në sistemin tonë arsimor jo formal, si pjesë përbërëse dhe e detyrueshme e kurrikulës mësimore me programe të veçanta, e orë mësimore të përcaktuar saktë dhe, në vartësi të moshës së fëmijëve dhe adolëshëntve, duke afruar rreth organizatave tona specialistët më të spikatur të rregullave të qarkullimit rrugor.

- Së dyti është theksuar në projekt programin e rilindjes, që sistemi i autoshkollave do të çlirohet menjëherë nga strukturat e komisonerëve injorantë e gjobëvënës, dhe në partneritet të ngushtë me to, do të përmirësohet forma e testimit dhe liçensimit të kandidatëve të rinj për drejtues mjeti, duke bërë që në bashkësinë e drejtuesve të ri të mjeteve, të parandalohet e  bllokohet ardhja e drejtuesve të pa kualifikuar dhe problematik për qarkullimin rrugor, që për fat të keq janë fajtor për rreth 15% të aksidenteve që shkaktojnë vdekje në vit.

- Së treti në kuadrin e rishikimit të konçesioneve të dhënë aga qeveria paraardhëse, do të rishikohet konçesioni i kontrollit teknik të mjeteve, pasi duhet të  prishet monopoli mbi të dhe të rritet përgjegjësia e shtetit për sigurinë teknike të mjeteve në rrugë. Paralelisht me zbatimin e ligjit të miratuar që në vitin 2006 për autoriparimin e mjeteve, serviset, çregjistrimin e mjeteve e deri tek sistemimi i vorezave të tyre, do të rritet pjesëmarrja e inxhinierve, mekanikëve te kategorizuar, duke futur teknologjitë e reja në qarkullimin rrugor të mjeteve me motor.

- Së katëri, është planifikuar të auditohen nga specialist dhe institucionet profilizuara, të gjitha rrugët e ndërtuara deri më tani dhe ato në proces ndërtimi, për të parë standardet teknike dhe të sigurisë, në projektim e në zbatim, për të  bërë korrigjimet e nevojshme, shoqëruar me kufizimet e domosdoshme të shpejtësisë së lëvizjes, me vendosjen e sinjalistikës dhe barrierave mbrojtëse, në mënyrë që jeta e qytetarëve që qarkullojnë në to, të mos rrezikohet nga,rrugë e mjedise publike, për të cilat janë shpenzuar para e bërë investimet  që e kanë burimin nga taksta e tyre.

- Së pesti, policia rrugore dhe zbatimi i ligjit në qarkullimin do të interpretohen në policinë e shtetit, e siç po shihet, do të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë së re që në 100 ditët e para, për ta larguar krimin nga rruga dhe mjediset publike, për t’ju sjell qytetarëve, besim, siguri e shpresë për një të ardhme më të mirë.

- Së gjashti urgjenca mjekësore do të riorganizohet, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë, duke bashkëpunuar e bashkërenduar veprimet me kompanitë e sigurimeve, subjektet e tjera privat të interesuara edhe emergjencat civile, në mënyrë që të mos kemi humbje jetë në momentin e transportit të të plagosurve nga vend ngjarja deri të qendrën shëndetësore më të afërt, siç ndodhë rëndomtë sot në rrugët tona.

-  A keni besim se këto masa do të zbatohen, si u duket fillimi?

Deri më tani kemi besim, pasi si shoqëri civile jemi ftuar për të dhënë mendime, kemi qenë pjesë e hartimit të programit të Partisë Socialiste, në të cilin shumë sugjerime tonat janë mirëpritur dhe reflektuar edhe në programin e qeverisë së re. Ministria e Brendshme dhe policia e shtetit kanë fillim mjaft të mbarë, sjellja e policisë në rrugë ka një përmirësim te dukshëm, të “fortit” në rrugë janë strukur, gjobëvënësit po demaskohen çdo ditë, ligji po zbatohet më mirë se dje, dhe aktualisht aksidente ka pasur më pak. Ministria e Transportit po lëviz pak më ngadalë, ende nuk po del nga ajo inercia e qeverisë paraardhëse, autoshkollat ende janë të çorientuar, korrupsioni në lëshimin e lejedrejtimeve vazhdon, dhe shërbimi ndaj qytetarëve nga zyrat e tyre rajonale nuk ka përmirësime. Megjithëse, për mendimin tonë, po bëhen gabime në  emërime, në disa institucioneve të transportit që kanë të bëjnë direkt me aksidentet rrugore e sigurinë e jetës së qytetarëve në rrugë. Ne,  nuk mund të paragjykojmë të gjithë masat që po merren, pasi është shumë shpejt për të parë efektin e tyre në përmirësimin e një situate shumë problematike që, ishte krijuar në shërbimin e transportit rrugor nga ish partia në pushtet. Nga ky sektor për dy vjet 2005 – 2007 u larguar me dhunë, me qindra inxhinier, profesor, e nëpunës të shkolluar dhe të aftë, vetëm për bindje partiake. Ato duhet të ftohen të kontribuojnë, pasi janë një aset i çmuar i këtij vendi, me vlera të mëdha jo vetëm për shtetin, por gjithë shoqërinë shqiptare. Ne këtu jemi, gjithmonë vigjilentë, për të ndihmuar, për të bashkëpunuar, por edhe në kontroll të vazhdueshëm të realizimit të programit të qeverisë dhe objektivave të rilindjes shqiptare. Zgjedhjet e tjera vijnë shpejtë, e Ne, në misionin tonë kemi që, qytetarëve shqiptar t’ju themi gjithmonë të vërtetën, në përpjekje për të mbrojtur jetën dhe rritur vazhdimisht cilësinë e saj..

Intervistoi: Eglantina Alliaj

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.