Mësuesi, autoriteti pedagogjik dhe nxenesi

Publikuar më: 20/10/2013 11:00

shkollatShkolla është një institucion dinamik që po ndryshon shumë në parametrat e saj të së kaluarës.Mëgjithatë, ende nuk mund të thuhet se procesi i ndryshimit nëpërmjet reformimit është realizuar plotësisht. Nuk do të ishim të sinqertë, në se nuk do të pranonim se ende në shkollat tona ndihet influence e parimeve të vjetra, tendencave edukative paternaliste, për të frenuar apo penguar të rinjtë në aktivitetet individuale apo kolektive qofshin ato. Në këto 20 vjet, koha ka qënë me ta. Asnjë pengesë nuk ka qënë e mundur të ndalë prirjen konstante të të rinjëve për progres, përpjekjet e tyre, të vendosura e të pathyeshme, për të ridimensionuar jetën personale, por dhe atë sociale, në përputhje me zhvillimin demokratik dhe sipas përceptimit të mënyrës së të jetuarit e të shkolluarit të tyre Paternalizmi i mësuesit, mbivleftësimi i rolit të tij dhe nenvleftësimi i personalitetit të nxënësit, është njeri nga shkaqet, në mos kryesori, që sjell
shkelje të rënda psikopedagogjike në marrëdheniet midis tij dhe nxënësit në shkollë.
Kur flasim për këtë raport pedagogjik delikat, për këtë relacion dinamik, midis dy figurave qëndrore dhe të vetme të edukimit në shkollë, siç janë mësuesi dhe nxënësi, duhet të mendojmë se nuk kemi përballë dy “qënie të zbrazura”,apo “njerëz të kulluar” .
Mësuesi dhe nxënësi janë dy “identitete njerëzore” , “ identitete sociale” të ndnryshme. Kjo do të thotë se këto janë dy figura të ndyshme, që kanë mendimin e tyre për njeri tjetrin, të kondicionuar, natyrisht, nga realcionet sociale të jetës së sotme në vendin tone, në kontekstin e të cilës “bashkëjetojnë” mësuesi dhe nxënësi. Ata, në kushtet e shkollës moderne, nuk duhet të jenë “rival” por partner, që kanë një mision të përbashkët. Në një farë mënyre, ajo që po ndodh në shkollat e sotme, është fakti që këto marrëdhenie tentojnë drejt një partneriteti intraktiv, funksionues dhe të barabartë. Në çdo kuptim që ta shikojmë shkollën, ajo është e do të jetë një institucion i madh jo vetëm pedagogjik, por edhe i marrëdheve të demokratizuara midis mësuesit dhe nxënësit. Shkolla është vatër e madhe e “demokracise se vogël”. Aty ndërrohen marrëdheniet midis dy subjekteve që e dëmtojnë hierarkinë e tyre, duke rrespektuar lirinë, identitetin dhe “rolet” e njeri- tjetrit.
Demokratizimi i marrëdhënieve mësues- nxënës nuk është terren për anarki pedagogjike, por as shkak për të trembur mesuesin që nuk komunikon demokratikisht, apo në favor të nxënësit rebel. Në këtë kontekst, shkolla, si çdo institucion tjetër social, ka parime ndërtimi dhe rregulla e rregullore funksionimi që garantojne marrëdhenie të drejta, lirinë “pozitive “ dhe “negative’ të mësuesit e nxënësit. Kjo do të thotë që nxënësi dhe mësuesi janë të lirë të ndërtojnë marrëdhenie productive, duke u nisur nga parimi demokratik e pedagogjik sipas të cilit në shkollë “liria e nxënësit” mbaron aty ku fillon e “drejta e mësuesit”, dhe anasjelltas e drejta e mësuesit mbaron atje ku fillon liria dhe e drejta e nxënësit për të gjykuar, menduar dhe vepruar. Në tërë këtë hapësirë lirie, nuk ka arsye pse te kemi përplasje midis nxënësit dhe mësuesit.
Këto realcione nuk ndërtohen me mentalitetet dhe paranojat e pedagogjise se vjetër autoritariste, që nuk respekton te drejtën dhe liritë e nxënësit për të qënë figurë aktive në shkollë. Koha kërkon që “hapësirat respektive”, të mësuesit dhe nxënësit, për të luajtur rolin e tyre si mësues dhe nxënës, të jenë të qarta. Normalisht, liria pedagogjike dhe demokratizimi i marrëdhënieve mësues- nxënës, nuk mund të realizohen duke ndërhyrë padrejtësisht në hapsirat e njeri tjetrit, duke krijuar anarki pedagogjike, marrëdhenie kaotike, të paqarta, që sjellin konflikt midis tyre .
Këto situata zgjidhen jo me paragjykime të vjetra pedagogjike, as me mentalitete paranojake reciproke, midis mesuesve dhe nxenesve. Mbase ka ardhur koha per të riparë këtë relacion ne të dyja drejtimet kryesore të demokratizimit të shkollës dhe marrëdheniet mësues- nxënës. Kjo kërkon që nga njera anë të ridimensionohet koncepti për “autoritetin e mëmsuesit”, duke e forcuar dhe demokratizuar “jo si autoritet të jashtëm”, që sjell autoritarizëm dhe konfiktualitet në marrëdheniet me nxënësit. Por, nga ana tjetër, nuk duhet asnjë lëshim në konceptin që liria e nxënësit në shkollë është pozitive, që do të thotë që është i lirë të mësojë dhe edukohet duke respektuar prirjet, dëshirën dhe personalitetin. Por ajo është edhe “liri negative”, në kuptimin që sjellja e nxënësit është e detyruar të jetë e përputhur me rregullat, rregulloret, parimet pedagogjike të shkollës, si institucion social. Nderkaq, mësuesi është i detyruar që me mjeshtri, përvojën e aftësine pedagogjike, të bëjë kushte normale dhe atë “situatë pedagogjike” në të cilën nxënësi të ketë mundësi të zgjedhë alternativa veprimi e kulturimi në përputhje me dëshirat, aftësitë dhe prirjet personale. Kjo liri pedagogjike nuk ka pse të jetë e huaj për shkollën tonë moderne, në se mësuesi dhe nxënësi dinë të respektojnë njeri- tjetrin, duke luajtur secili rolin e vet. Me fjalë të tjera, ka ardhur koha që në shkollë të punojmë që, duke e demokratizuar atë dhe marrëdheniet midis mësuesit dhe nxënësit nga njera anë, po kaq seriozisht të mendojmë për një “rikonceptim të roleve” dhe statusit të secilit, si mjet për mbarëvatjen e punës dhe të procesit mësimor –edukativ.
Çeshtja e njohjes dhe respektimit të statusit të mësuesit dhe nxënësit ndikon në krijimin e një atmosfere të veprimit të “hierarkisë shkollore”, e cila është e domosdoshme për një institucion të tillë dhe mision social dhe pedagogjik, siç është shkolla.
Në se do arrijmë që në shkollë të kemi përfytyrime të drejta të statusit dhe kodin etik të mësuesit dhe nxënësit, duke respektuar të drejtat institucionale të sejcilit, atëhere kemi për ta patur një atmosferë marrëdheniesh dhe mirëkuptimi reciprok. Kjoështë ajo që i duhet shkollës, për të pasë efiçensë dhe efikasitet social-pedagogjik, rezultate të prekshme dhe gjurmë të thella të relacioneve shpirtërore midis mësuesit dhe nxënësit. Nuk ka pse të ngatërrojmë shkollën me koncepte të skajshme konservatore, arkaike, apo anarkike, te pedagogjive të vjetra e të reja, që janë provuar se kanë qënë dhe janë kundërproduktive, të panatyrshme për shkollën moderne shqiptare në stadin e sotëm. As nxënësit, por as mësuesit, nuk janë ata që kanë qënë dikur, as mërrëdhëniet e tyre nuk ndertohen mbi parime të vjetra që ngatrrojnë “statuset reciproke”, që dëmtojnë punën e shkollës. Shkolla nuk është vënd “pavarësisë së xënësit” nga mësuesit, por as fushë beteje për të treguar “unin”, apo egocentrizmin pedagjik të këtij mësuesi. Natyrisht, mësuesi është në një situatë të veçantë, sepse është idetyruar të komfortojë “sjedhjen dhe unin” e tij me nxënësit, që janë në të njëjtën kohë “grup”, ”tërësi kolektive”, që duhet njohur, punuar, respektuar, si grup, por dhe individualisht. Natyra e profesionit dhe e marrëdhënieve të tilla kondradiktor, të punës, me “grupin” dhe “ individin” në të njëjtën kohë, është ajo që e bën të vështirë, delikate, me përgjegjësi, dhe të lodhshme punën e mësuesit në shkollë.
Ndaj është aq shumë e respektuar puna e mësuesit të vërtetë, të cilën nuk mund ta bëjë kushdo. Ai është mjeshtër për të gjetur “masën” midis lirisë dhe disiplinës ,që duhet respektojë nxënësi në shkollë. Kjo do të thotë që duhet me kujdes të shikojmë atë raport delikat të të drejtave dhe lirive të natyrshme që ka nxënësi (Liria positive), me atë të drejtë që ka shkolla dhe mësuesi për nxënësin që të respektojë rregullat dhe parimet e ndertimit dhe të funksionimit të shkollës (Liria negative). Midis këtyre “dy lirive”, midis mësuesit dhe nxënësit, është ajo soituatë që ndikon në përcaktimin e statusit të tyre, është pikërisht ajo gjendje që mundëson funksionimin ideal të marrëdhënieve, pa cenuar dhe nëpërkembur të drejtat e njeri-tjetrit.
Shkolla është institucion dhe natyrisht që ka nëvojë për “ hierarki” vlerash dhe njerëzish, që kanë role të ndryshme bashkëpunuese. Por, nuk mund të ndërtohet shkolla e re e demokratizuar, me mësues që kanë në mëndje idetë dhe konceptet e shkollës së vjetër totalitariste që e shtypte lirinë e nxënësit. Shkolla është vëndi i parë ku nxënësi kërkon të afirmojë personalitetin dhe identitetin e vet të dallueshëm. Kjo kërkesë dhe dëshirë e natyrshme e nxënësit, nuk ka pse të cenojë përsonalitetin e mësuesit të “ lekundur’, i cili, nga që mund të mos jetë i aftë të përballojë këtë kërkesë ligjitime, trembet, e kap paniku dhe nervozizmi pedagogjik. Dëshira e nxënësit për të afirmuar personalitetin, nuk cenon aspak, nuk e vë në krizë autoritetin e mësuesit të talentuar, që di të kuptojë këtë aspiratë të nxënësit, duke ndërtuar, nderkaq, marrëdhënie të mira ndikuese me të. Nuk është e drejtë frika, që kanë disa mësues për “kufijtë” e cenuar të autoritetit të tyre. Pavarësisht proceseve demokratizuese që kanë përfshirë shkollën tonë, ka për të qënë kurdoherë e pranishme dhe e diskutueshme pyetja e mësuesit se “deri ku duhet të shtriohet autoriteti” i tij. Por ,nderkaq, edhe nxënësi ka po aq të drejtë të pyesë, se “deri ku janë kufijtë e lirisë” së tij. Kjo situatë dikotomike midis “autoritetit të mëmsuesit” dhe “ lirisë së nxënësit”, është dhe do të jetë problem i përjetshëm ekzistencial i shkollës. Asnjëherë shkolla nuk është normale, në se nuk ka të kristalizuar misionin, qëllimin, funkionin dhe, natyrisht, statusin dinamik të dy figurave të përjetshme të saj: mësuesit dhe nxënësit.

Shkruar nga Fran Gjoka

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.