Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, pagues i vetëm i vizitave spitalore

Publikuar më: 10/10/2013 11:45

astrit-beciDoktor Astrit Beci është kandidatura e përzgjedhur nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për të drejtuar ISKSH-në. Drejtori i ri i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor u prezantua dje nga Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e z. Beci, ministri i Shëndetësisë u shpreh: “Synimi i Qeverisë së re, është të krijojë shërbimin shëndetësor kombëtar, i cili synon të jetë pagues i vetëm i shërbimeve shëndetësore në vend. Dr. Astrit Beci ka një profil të spikatur njerëzor dhe profesional -u shpreh ministri i Shëndetësisë- me eksperiencë të rëndësishme në drejtimin e Institucioneve Shëndetësore (drejtor i drejtorisë së spitalit rajonal Shkodër dhe drejtor i drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër) e pasuruar me njohuri dhe dije në fushën e shëndetësisë. Këto komponentë, e plotësojnë figurën e drejtuesit të ri të ISKSH-së, i cili, jemi të bindur se, do të dijë të realizojë programin e ri të Qeverisë në fushën e shëndetësisë. Drejtori i ri i ISKSH-së, z. Beci, në fjalën e tij falënderoi ministrin e Shëndetësisë për besimin dhe u shpreh se eksperienca në drejtimin e sektorëve shëndetësor si dhe detyra të tjera drejtuese, do ta ndihmojnë në drejtimin e këtij Institucioni, duke u shprehur i bindur se do të jetë në lartësinë e detyrave që kërkohen nga programi ambicioz i Qeverisë së re. Sipas z. Beci, në këndvështrimin e programit të ri të Qeverisë, koncepti i ISKSH-së ndryshon dhe krijohet një institucion i ri, i cili sigurisht do të bazohet në punën e bërë ndër vite për ta shndërruar ISKSH-në në pagues të vetëm, gjë e cila nuk është përmbushur gjatë këtyre viteve. Kjo punë do të forcohet, do të çohet më tej, për ta shndërruar realisht ISKSH-në, në një Institucion të ri, në Institucionin e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar si pagues të vetëm. Kjo është sfida jonë, e kemi marrë përsipër në të mirë të kujdesit shëndetësor për të gjithë popullatën për të realizuar akses të barabartë dhe cilësor në të gjitha shërbimet shëndetësore që ne ofrojmë dhe do të donim të zgjerohen në të ardhmen. Ministri i Shëndetësisë gjatë fjalës së tij deklaroi gjithashtu se, shndërrimi I ISKSH-së sigurisht do të kërkojë kohën e vet (një periudhë 2 vjeçare), për tu krijuar një Institucion i ri, i cili do të përmbushë angazhimet e Qeverisë për ofrimin e shërbimit kombëtar shëndetësor. “Me emërimin e z. Astrit Beci në krye të ISKSH-së, jemi të bindur se do ti përgjigjemi sfidave që dalin përpara nga zotimet e Qeverisë së re, për ofrimin e shërbimit shëndetësor për të gjithë shqiptarët”, tha ministri i Shëndetësisë.

CV-ja e Dr. Astrit Beci, MPH

Z. Astrit Beci është lindur në Shkodër, më 21.03.1966. Ka mbaruar Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e Tiranës (1984-1989).
Është specializuar në QSUT në degën Okulistikë e Përgjithshme (1991-1993).
Diploma in community eye health në Universitetin e Londrës (Institute of Ophthalmology) (1993-1994).
Gjatë viteve 2000-2002 ka kryer Masterin në Shëndet Publik (Master of Public Health) në National School of Public Health Athens.
Nga viti 2012 në vazhdim, është doktorant pranë Universitetit Mjekësor të Tiranës.
Gjithashtu z. Beci ka kryer trajnime për administratën shëndetësore, matjen e cilësisë së Shërbimeve, ekonominë Shëndetësore etj.
Eksperienca profesionale:
Gjatë viteve 2009-2013 z. Beci ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Shëndetësisë dhe Punës Sociale).
Në vitet 2003-2009, ka kryer detyrën e shëfit të shërbimit të ORL-Okulistikës në Spitalin Rajonal Shkodër.
Gjatë viteve 1997-2000 dhe 2001-2003 ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Spitalit Rajonal Shkodër.
2000-2001 – Drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër
1994-1997 – Mjek okulist pranë shërbimit Kirurgjikal në spitalin rajonal Shkodër.
1989 – 1992 – Përgjegjës i Qendrës Shëndetësore Pukë.
Dr. Astrit Beci zotëron tre gjuhë të huaja (anglisht, italisht dhe frëngjisht).

OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.