Studime në Itali, rregullat për regjistrim

Publikuar më: 26/10/2013 12:34

studimet_ne_itali_nisin_procedPrej dy ditësh, në Tiranë po mbahet edicioni i dytë për promovimin e sistemit akademik italian. Ky aktivitet organizohet në kuadër të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Academia della Crusca, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës. Tema e këtij aktiviteti, i cili do të jetë i hapur dhe sot, është “Të studiosh në Itali”. Edhe sot, në orën 9,30 studentët do të kenë mundësi të vizitojnë stendat e të gjitha universiteteve dhe të ndjekin prezantimin e Universitetit të Foggia-s, Universitetit Katolik Zonja e Këshillit të Mirë, Sistemit të Arsimi të lartë në Friuli Venezia Giulia, Universitetit për të Huaj të Sienës, Shkollës së Lartë Universitare për Ndërmjetës Gjuhësorë CIELS, Universitetit G. D’ Annunzio i Chieti Pescara-s, Urbinos Carlo Bo, Perugia-s, Romës LUSPIO, Barit Aldo Moro, dhe së fundi, Universitetit të Pavarur të Bolzanos. Edhe pse të Studiosh në Itali u drejtohet më së shumti studentëve të cilët dëshirojnë të vazhdojnë studimet e tyre universitare në Itali, ky aktivitet do të jetë gjithashtu një mundësi takimi midis përgjegjësve të universiteteve italiane dhe atyre shqiptare, rektorët e cilëve janë ftuar të flasin, në mënyrë që të nxisin kontakte të reja ose të forcojnë ato ekzistueset, për shkëmbime të mundshme studentore, si dhe për ngritjen e rrugëve të bashkëpunimit arsimor/formativ të përbashkët.

Të studiosh në Itali

Studentët shqiptar që dëshirojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane, duhet pikë së pari të ndjekin disa procedura dhe kritere sa i takon aplikimit. Lidhur me këtë fakt, Gazeta “Republika”, publikon udhëzimin e plotë, mbi kriteret për regjistrim që ndiqen për aplikim për në universitetet italiane. Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në një nga universitetet italiane duhet që në fazën e parë të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e para-regjistrimit. Dosja me këto dokumente duhet të dorëzohet nga vetë kandidatët pranë ambasadës italiane, duke caktuar takim nga data 4 deri në datën 20 qershor 2014. Sa i takon kushteve që duhet të plotësojnë të gjithë studentët e interesuar, vjen në ndihmë “INAS-ALBANIA”, e cila jep asistencë, si për procedurat që duhet të ndiqen, ashtu dhe për plotësimin e modularëve për aplikim. Po kështu, për studentët shqiptar, që do të fitojnë të drejtën e studimit, nëpërmjet degëve në Patronato INAS CISL, në zonat përkatëse, do u jepet ndihma studentëve sa i takon akomodimit të tyre.

Hapat që duhet të ndjekin studentët

Hapat që duhet të ndjekin studentët për tu regjistruar në universitetet italiane për vitin akademik 2014/2015 janë:
1- në fazën e parë, të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për proçedurën e para-regjistrimit (dokumentet do të dorëzohen personalisht nga të interesuarit pranë Ambasadës Italiane, duke caktuar takim nga data 21 mars 2014 deri në datën 21 qershor 2014) për të sjellë dokumentacionin duhet fiksuar një takim me anë të programit “Prenoto online” të faqes internet të kësaj Ambasade;
2- më pas, nga data 1 qershor deri në datën 31 korrik 2014, do të dërgohet përmes korrierit Albanian Courier, Dëftesa e Pjekurisë (ose Diploma universitare në rastin e regjistrimit në +2) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim/universitet.
Ambasada Italiane do t’u lëshojë vizën studentëve sapo të ketë përfunduar vlerësimi i dokumentacionit dhe do t’i dorëzojë të interesuarve (gjithmonë përmes Albanian Courier) pasaportën dhe dokumentet e legalizuara.

Faza e parë: Paraqitja e kërkesës për para-regjistrim

Studentët që dëshirojnë të fillojnë proçedurën e para-regjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit Prenoto Online, të kësaj faqeje internet, duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”. Takimi mund të caktohet edhe përmes call center-it, në numrin 0900 404 4000. Takimet mund të caktohen nga data 21 mars deri në datën 21 qershor 2014.

Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim

Studentët duhet të paraqitën në datën e takimit me dokumentacionin e mëposhtëm:
1-formulari i regjistrimit (modello A) tërësisht i plotësuar por i pa firmosur.
Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare, që nuk do të mund të ndryshohet më pas. Lista e të gjithë degëve mund të konsultohet në adresën http://ëëë.studiare-in-italia.it/studentistranieri/ .
2-formulari i autentikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar por i pa firmosur.
3-Dëftesa e Pjekurisë dhe Çertifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal. Studentët që nuk zotërojnë më Dëftesën origjinale do të dorëzojnë një Vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve bashkë me ato të Maturës Shtetërore. Studentët që kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë para vitit 2013 duhet të sjellin edhe çertifikatën e Maturës Shtetërore (ose, nëse do ta marrin në verën e 2014-ës, një kopje të formularit të regjistrimit në provime ose certifikatë regjistrimi të mëparshëm në universitet). Ndërkohë, nxënësit e regjistruar në vitin e fundit ë shkollës së mesme, që do të marrin Dëftesën në verën e 2014-ës, do të paraqesin një fotokopje të pa legalizuar të formularit A1 me të cilin janë regjistruar on-line për provimet e maturës 2014. Këta nxënës duhet të dorëzojnë në Ambasadë dëftesën origjinale përpara lëshimit të vizës.

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), përveç Dëftesës së Maturës Shtetërore, duhet të dorëzojnë edhe Diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar të studimeve. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do te marrin Diplomën brenda verës së vitit 2013, duhet të dorëzojnë një vërtetim me provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës.
Kujdes: Dokumentet e lëshuara nga institucionet shqiptare ( dëftesa e pjekurisë, diploma e shollës së lartë, lista e notave dhe programi i detajuar i studimeve) duhet të jenë të legalizuara. Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga Instituti Italian i Kulturës (Rruga Budi 58/3; tel. 04/2379580) ose nga njëri prej përkthyesve të betuar. Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria së Punëve të Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane, gjithmonë nga Instituti Italian i Kulturës (Rruga Budi 58/3; tel. 04/2379580) ose nga njëri prej përkthyesve të betuar.
4-Fotokopje e Certifikatës së gjuhës italiane të nivelit B2 të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), Universiteti për të Huajt i Siena-s (CILS), Universiteti Roma 3, ose Shoqata Dante Alighieri. Studentët që do të kryejnë provimin në sesionin e afërm për njohjen e gjuhës, mund të paraqesin regjistrimin në provim (këta studentë do të pranohen me rezervë në para-regjistrim; procedura e lëshimit të vizës do të përfundojë me sukses nëse kalohet provimi).
5-Fotokopje e pasaportës.
6-2 fotografi për dokument

Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zarf, ku duhet të shënohen:
- Emri dhe mbiemri i studentit
- Universiteti, Fakulteti, Dega e studimit
- Numri i telefonit (celular dhe telefon fiks)
- Adresa e postës elektronike (e-mail)
Kujdes: Studentët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit ditën e paraqitjes së dokumentacionit. Studentët duhet të plotësojnë të dhënat personale dhe formularët me shkronja kapitale dhe me grafi të lexueshme.

Faza e dytë: Dërgimi i dokumentacioneve për kërkesën e vizës

Nga data 1 qershor deri në datën 31 korrik 2014, studentët që kanë bërë kërkesën për para-regjistrim, duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes Albanian Courier dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës. Në fazën e dytë nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë: të interesuarit do të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës më të afërt të Albanian Courier.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:

1-Nëse nuk është dorëzuar gjatë para-regjistrimit Dëftesën e Pjekurisë (eventualisht bashkë me Diplomën Universitare, me listën e notave dhe me programin e detajuar të studimeve në rastin e regjistrimit në master) të apostiluar në Ministrinë e Jashtme dhe të përkthyer nga Instituti Italian i Kulturës (Rruga Budi 58/3; tel. 04/2379580) ose nga një përkthyes i betuar.
2-Formulari për kërkesën e vizës, tërësisht i plotësuar dhe firmosur, me një fotografi të bashkëngjitur.
3-Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë;
4-Pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale;
5-Deklaratë për vendbanimin në Itali:
- në rast qëndrimi pranë një personi privat: deklaratë strehimi nga data e fillimit të vizës deri më 31.01.2015, fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë (p.sh. nëse është shtetas i huaj: lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno) ose faturat e rinovimit; nëse është shtetas i BE-së, pasaportën ose kartën e identitetit);
- në rast qëndrimi pranë enteve apo institucioneve fetare: deklaratë strehimi nga institucioni dhe një fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë të ftuesit:
- në rast qëndrimi në hotel: prenotim hoteli për qëndrim jo më të shkurtër se një muaj.
6-Sigurim shëndetësor për udhëtim i vlefshëm nga data e fillimit të vizës deri më 31.01.2015.
7-Vërtetim Bankar për të paktën 5.750 euro sipas normativës MIUR. Këto burime financiare duhet të jenë të përdorshme direkt nga studenti (llogari bankare personale) dhe nuk mund të provohen me garanci bankare nga të tjerë.

Nëse studentët plotësojnë kërkesat e parashikuara nga normativa, Ambasada Italiane do të lëshojë vizën për studim/universitet. Lëshimi i vizës nuk nënkupton pranimin automatik në Universitetin e përzgjedhur. Për tu informuar mbi pranimin, studentët duhet t’i drejtohen direkt universiteteve. Pasaportat do t’u kthehen të interesuarve përmes korrierit postar Albanian Courier, bashkë me dokumentacionin origjinal që studentët duhet të paraqesin pranë Universitetit ne Itali. Për ridorëzimin e dokumenteve, studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 198 lekësh nëse banojnë në Tiranë dhe 300 lekësh (përfshirë TVSH) nëse banojnë në qytete të tjera. Ndërkohë, procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumentacionit të legalizuar do të kryhet brenda muajit gusht 2014 dhe vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data e fillimit të udhëtimit deri më datën 31 janar 2015. Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për banorët e qyteteve të mëposhtme: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Studentët që nuk janë me vendbanim në këto rrethe duhet t’i drejtohen Konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë ose Konsullatës Italiane në Shkodër.

Përgatitën: Edlira Mem

                           Osman Dedja      

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.