KRIZA E EUROZONËS DHE NDIKIMI MBI EKONOMINË SHQIPTARE

Publikuar më: 18/11/2013 19:05

lavdosh ahmetajDr. Lavdosh Ahmetaj

     

              Analiza  przantohet përmes këtyre pikpamjeve  kryesore:

          *mendimin ekonomik, i cili përpiqen të gjejnë diagnozën e kësaj krize financiare, hedhin sytë tek sistemi i kreditimit të bankave, e më konkretisht në të ashtuquajturën “subprime lender”, që ka kuptimin e “kreditimit në nënkategori”, si dhe orientimin në gjithë botën për dhënien e kredive për shtëpi, ose “housing loans”. Duke u përqënruar në intensitetin e sistemit bankar, ekspozimi ndaj rriskut, ngërçi i kredive dhe ekzekutimi i objekteve me kredi të papaguara. Ndërsa nga na tjetër tendenca e mosmarrjes së interesave të kredive, e cila i vendos bankat përballë faktit të mosshlyerjes  të intereave të bondeve, çka detyron  shpalljen e  falimentimit ose të kërkonin ndihmë.** kriza e Eurozonës është më koherente e parë në këndvështrimin shqiptar, në dy vende fqinjë, si Greqia dhe Italia, reflektojnë ndikimin e tyre edhe në ekonominë dhe financat shqiptare. Ajo që në ekonominë botërore ngjan si një virus, domethënë borxhi publik dhe ai privat, dhe që ka nevojë për kurim të fuqishëm, nuk ka lënë pa prekur edhe Shqipërinë. *** sistemi finaciar perëndimore ka hedhur në formë huaje një shumë të konsiderueshme në Shqipëri në forma të ndryshme, financa që gjithsesi janë për t’u kthyer. Edhe pse shifrat zyrtare të viteve të fundit shprehin një rritje ekonomike të saj, e vënë në dukje edhe nga autoritetet europiane, megjithatë ekonomia në gjerësi e ulët, niveli i rritur i papunësisë dhe një treg pune i parregullt, vendosin pasigurinë e vendit të punës dhe kompromenton në thelb të drejtat e punëtorëve, nxjerr në pah edhe borxhin fiskal dhe borxhin publik.

**** Bashkimi Europian shfaqet si një eksperiment institucional me ambicie tepër racionale dhe me sukses të madh, deri në atë shkallë sa t’i propozohet hapësirave të tjera kontinentale të planetit si një model integrimi që duhej ndjekur.

***** Ideja mes elitave politiko-kulturore europiane, ështe që Europa të ishte pararoja e një tendence historike drejt së ashtuquajturës epokë “post moderne”, e shënuar nga ecuria e pandalshme e një globalizimi që do të çonte gradualisht, por pashmangshmërisht, në rënien e istitucioneve dhe të strukturave të rendit të modernitetit, dhe veçanërisht, të shpikjes parësore politiko-juridike të tij, shtetit modern.

         ****** Njëhërash preket ideja se, çfarë duhet të bëjë shteti në evitimin e krizës financiare dhe ekonomike, është gjetur e udhës funksionim i rregullit të artë” buxhetor, që mundëson emancipimin e politikës, e cila duhet të eleminojnë nga lufta politike borxhin dhe stabilitetin finaciar, në mënyrë që treguesit e financiave publike të jenë sa më të stabilizuara e në ballancim të mjaftueshëm.

Kriza e Eurozonës

dhe ndikimi mbi ekonominë shqiptare

Një krizë financiare jo pak tronditëse për ekonominë botërore u shfaq viteve të fundit, duke nisur së pari në sistemin bankar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që shpejt gjeneroi dhe u përhap në kontinentin europian, e lidhur ngushtë kjo me efektet e globalizimit. Analistët praktikë dhe ata doktrinarët e sistemit financiar, të cilët  përpiqen të gjejnë diagnozën e kësaj krize financiare, hedhin sytë tek sistemi i kreditimit të bankave, e më konkretisht në të ashtuquajturën “subprime lender”, që ka kuptimin e “kreditimit në nënkategori”, si dhe orientimin  bankave në SHBA si dhe në gjithë botën për dhënien e kredive për shtëpi, ose “housing loans”[1]. Animi i kreditimit në këta sektorë shpjegohet: me garancinë optimale hipotekore që mbartin; me rritjen e vlerës së pronës ndër vite (që do të thotë se kjo vlerë do të mbulojë interesat edhe nëse kredia nuk paguhet); këto kredi janë afatgjata dhe sigurojnë të ardhura interesi në kohë dhe vëllim; këto kredi quhen të mira pasi kanë një nivel të ulët vonesash. Pra, ekonomia amerikane po zhvillohej në tregun e shtëpive, e si rrjedhojë në rrritjen e industrisë së ndërtimit. Oferta e kredidhënies për shtëpi ndikoi në rritjen e kërkesave për këtë objekt, në rritjen e ofertës për industrinë e ndërtimit dhe për arredimet, gjë që solli rritjen e konsumit dhe në rritjen e çmimeve të shtëpive, duke shkaktuar me fjalë të tjera inflacion (edhe me rritjen e interesave të kredive të tilla)[2]. Në këtë intensitet të njëanshëm të orientimit të sistemit bankar, duke iu ekspozuar rriskut, filloi ngërçi i kredive dhe ekzekutimi i objekteve me kredi të papaguara. Rritja e ofertës së objekteve u shoqërua me rënien e kërkesës në treg për shtëpi, duke gjeneruar fillimin e rënies së vlerës së shtëpive. Mosmarrja e interesave të kredive i vuri bankat përballë faktit të mosshlyerjes së pagesave të intereave të bondeve, çka i dërgoi shumë shpejt të shpallnin falimentin ose të kërkonin ndihmë. Dhe kjo përftoi të ashtuquajturën krizë. Po analistët rreken të gjejnë nëse ky ishte një gabim i sistemit apo një skenar i parapërgatitur, por gjithsesi fakti është se kjo krizë solli përkeqësimin e ekonomisë botërore, duke ndikuar në papunësinë, uljen e GDP dhe preku përveç SHBA edhe gjithë botën e kushtëzuar nga ekonomia globale. Kjo krizë financiare u pasqyrua, siç thamë, shpejt edhe në Europë, duke zbuluar në të, veç elementëve krizësjellës në sistemin bankar, edhe dobësinë e vetë ngrehinës europiane. Por nëse masat e shpejta në shtetet e Europës Qendrore zbutën disi efektet e krizës, duke parandaluar sipërfaqshëm atë, ajo në vitin e fundit u shpërfaq me përmasa shqetësuese në atë që quhet periferi e Eurozonës. Po përse Europa, apo më saktësisht, hapësira e Eurozonës është bërë epiqendra kryesore dhe “vrima e zezë” e mundshme e krizës ekonomiko-financiare botërore? Kësaj pyetjeje teoricienët i japin përgjigje të ndryshme për të kuptuar trajektoren befasuese të projektit europian në dhjetëvjeçarin e fundit. E djathta konservatore me çelësin e vet të leximit (kriza si rrjedhojë e një teprimi shpenzimesh publike dhe borxhesh shtetërore) nuk është në gjendje të japë shpjegim shterrues kësaj pyetje, pasi Eurozona në tërësinë e saj nuk paraqet vlera deficiti dhe borxhi publik më të mëdha se mesatarja e vendeve të tjera të zhvlluara, përkundrazi. Shihet se Shtetet e Bashkuara, Japonia apo vetë Britania e Madhe dallohen nga një situatë financash publike më të këqija jo vetëm se Gjermania dhe Franca, por edhe se Spanja apo ndonjë shtet tjetër.[3] Nga ana tjetër, vetë shpjegimi me çelës ngushtësisht ekonomik i së majtës kejnsiane[4] (kriza si rrjedhojë e teprimit të financizimit të ekonomisë dhe të shtimit të tejmasshëm të pabarazive), edhe pse ka arsye më të thella për të kuptuar origjinën e problemit në planin global, nuk arrin të japë sqarim se përse tashmë epiqendra është zhvendosur në vendet e Europës kontinentale, që në dy të rrafshet – pesha e financës dhe niveli i pabarazve – kanë ruajtur në tepër antikorpe kundrejt botës anglosaksone[5]. Një interpretim i tipit thjeshtë ekonomik nuk arrin pra të shpjegojë përse hapësira e euros është bërë kërcënimi kryesor për stabilitetin financiar global. Duhet shkuar, pra, përtej çelësave të leximit që izolojnë ekonominë nga faktorët politikë dhe institucionalë dhe të provohet të gjendet një përgjigje në karakteret që integrimi europian ka marrë duke u nisur nga adaptimi i euros. Qysh në fillim të viteve dymijë, Bashkimi Europian shfaqej si një eksperiment institucional i paparë dhe me sukses të madh, deri në atë shkallë sa t’i propozohej hapësirave të tjera kontinentale të planetit si një model integrimi që duhej ndjekur. Ideja tejet mbizotëruese mes elitave politiko-kulturore europiane, ishte që Europa të ishte pararoja e një tendence historike drejt së ashtuquajturës epokë “post moderne”, e shënuar nga ecuria e pandalshme e një globalizimi që do të çonte gradualisht, por pashmangshmërisht, në rënien e istitucioneve dhe të strukturave të rendit të modernitetit, dhe veçanërisht, të shpikjes parësore politiko-juridike të tij, shtetit modern. Europa, vendi në të cilin shteti modern sovran kishte marrë formë, duke nisur nga fundi i epokës mesjetare, do të ishte kështu edhe vendi i tejkalimit të tij, siç tregonte fakti se ajo vetë duke eksperimentuar me sukses, mendohej në ato vite, monedhën e parë dhe Kushtetutën e parë përtej shtetit. Por irrelevanca politike e Bashkimit Europian pas 11 shtatorit, duke nisur nga lufta në Irak dhe dështimi i projektit për Kushtetutë europiane, ishin të parat “kundërshti të ashpra të historisë” ndaj këtij vizioni. Shpërthimi i krizës globale në vitin 2008 dhe vënia në diskutim e pikëpamjeve ideologjike neo-liberiste – duke nisur nga dogma e irrelevancës progresive të rolit të shteteve dhe të pushteteve publike në ekonominë e globalizuar – kanë zbuluar sheshit iluzionin e Europës pas-statale dhe pas-sovrane. Në një kthim historik dramatik, në të cilin sovranitetet shtetërore janë thirrur për të zhvilluar një rol vendimtar për të shmangur kolapsin total të sistemit financiar dhe në të cilin është kthyer një nevojë imperative vendimi politik, për të shfaqur papritmas anakronike dhe të pavolitshme pretendimin e Europës për të shtypur autonominë vendimmarrëse të shteteve nacionale, pa ndërtuar një autoritet politik unitar dhe të pajisur me themel autonom legjitimimi. Këtu dalin në pah edhe qëndrimet e ndryshme të anëtarëve të Eurozonës. Në rradhë të parë, Volgang Shojble, ministri i financave gjermane, që në Financial Times shkruan: “Cilido që të jetë roli që tregjet kanë luajtur si katalizator, kriza e borxhit sovran është një fakt i padiskutueshëm se shpenzimet shtetërore të tepruara kanë sjellë në nivele të pambështetshme të borxhit dhe deficitit që sot kërcënojnë mirëqenien tonë ekonomike”. Ndërsa ministri grek i financave Venizelos shprehet: “Nuk do të jemi shfajësimi i lehtë që do të përdoret nga institucionet europiane dhe ndërkombëtare për të fshehur mungesën e tyre të kompetencës në mbarështrimin e krizës dhe për të dhënë një përgjigje përfundimtare dhe të plotë sulmeve kundër euros, monedhës më të fortë të botës”. Pikërisht këto dy pohime shprehin thelbin e dy vizioneve në esencë të ndryshme mbi origjinën e krizës së borxhit të Eurozonës. Pra, shkaqe lokale apo shkaqe sistemike? Nga njëra anë pikëpamja se kriza është shkaktuar në thelb nga sjelljet e shthurura dhe të papërgjegjshme nga ana e qeverive dhe individëve në periferi të Eurozonës (kupto këtu me periferi, Greqinë, Portugalinë, Irlandën dhe Spanjën). Dhe nga ana tjetër, dhe pse kriza mund të ketë pasur ndonjë shkak në nivel lokal, pjesa më e madhe e kaosit aktual është rezultati i forcave dhe vendimeve jashtë kontrollit të qeverive periferike të Europës. Me fjalë të tjera, kriza do të mund të ketë shkaqe jo-lokale, por sistemike[6]. Pa ndalur më tej në shqyrtimin e qëndrimeve, mund të themi se realisht duket se kriza e Eurozonës është më koherente me pikëpamjen e një shkaku sistemik se me pikëpamjen e shkaqeve lokale. Me fjalë të tjera, edhe pse nuk kanë marrë vendimin e duhur gjithherët, vendet periferike të Eurozonës kishin kundër forca të fuqishme ekzogjene – bollëk fluksi kapitalesh dhe ndalime të papritura – që prireshin t’i shtynin drejt krizës financiare[7]. Kriza e borxhit të Eurozonës është mjaft e madhe sa të jetë një mori përgjegjësish në qarkullim, dhe një pjesë sigurisht do duhet t’i shkojë vetë vendeve në krizë. Por duhet gjtihashtu të pranohet se sapo këto vende kanë përshtatur euron, janë vënë në lëvizje forca të fuqishme që kanë bërë të gjasshme një krizë financiare, dhe mesa duket edhe të pashmangshme, nuk ka rëndësi se çfarë vepronin qeveritë e vendeve periferike. Në bazë të krizës së Eurozonës nuk qëndron sjellja e papërgjegjshme e vendeve periferike, por vetëm monedha e përbashkët. Pa ndalur në analizën e kësaj, përmendim analistët që e shohin krizën e borxheve sovrane të Eurozonës jo si një krizë të teprimit të borxhit, por të deficitit të sovranitetit. Pra, vizioni i përmirësimit të gjendjes kërkohet në vendet kryesore të Eurozonës që hallkën e monedhës të mund ta shndërrojnë në bërthamën gjeneruese të një sovraniteti demokratik të bashkëndarë. Por, për momentin kriza vazhdon. Dhe më e keqja, në këndvështrimin shqiptar, në dy vende fqinjë, si Greqia dhe Italia, që padyshim reflektojnë ndikimin e tyre edhe në ekonominë dhe financat shqiptare. Ajo që në ekonominë botërore ngjan si një virus, domethënë borxhi publik dhe ai privat, dhe që padyshim ka nevojë për kurim të fuqishëm, nuk ka lënë pa prekur edhe Shqipërinë. Ka një fakt se shumë vende të Europës perëndimore kanë hedhur në formë huaje një shumë të konsiderueshme financash në Shqipëri në forma të ndryshme, financa që gjithsesi janë për t’u kthyer. Edhe pse shifrat zyrtare të viteve të fundit shprehin një rritje ekonomike të saj, çka është vënë në dukje edhe nga autoritetet europiane, megjithatë ekonomia në gjerësi e ulët, niveli i rritur i papunësisë dhe një treg pune i parregullt, që vendos pasigurinë e vendit të punës dhe kompromenton në thelb të drejtat e punëtorëve, nxjerr në pah edhe borxhin fiskal dhe borxhin publik[8]. Një qeveri, duke mos pasur sovranitetin në lëndën e politikë ekonomike për të shtuar masën monetare dhe për të shtyrë inflacionin, vihet përballë rriskut të mos jetë në gjendje të paguajë sasinë e borxheve të akumuluara dhe detyrohet të shpallë paaftësinë paguese të saj. Parimisht, borxhet mund të jenë një element pozitiv për ekonominë e një vendi, por varet shumë nga sa këto borxhe kushtojnë e mbi të gjitha nga ajo se çfarë bëhet me paranë e huajtur, nëse ato janë përdorur në investime produktive me një perspektivë zhvillimi dhe rritje ekonomike apo “hidhen në erë”[9].   Në fakt edhe në Shqipëri është vërejtur në dhjetë vitet e fundit një bum ndërtimesh (që të kujton edhe tendencën amerikane për të cilën folëm më lart), sektor i cili jep dhe rreth 14 përqind të GDP shqiptare, por që në dy vitet e fundit do të bjerë. Po ashtu edhe turizmi. Në bazë të rezultateve të deklaruara, duket se Shqipëria ka jetuar për shumë vjet thjeshtë duke konsumuar paranë e huajtur të bankave europiane dhe ka ndërtuar një mur borxhi që vit pas viti bëhet më i lartë. Gjithashtu, shumë sipërmarrje private, të këshilluara nga bankat, kanë marrë borxhe në valutë të huaj, pasi të tilla huara duket se kushtojnë më pak në nivelin e taksave të interesit. Dhe shenjat e krizës, pavarësisht sforcimit të deklaratave zyrtare, nuk kanë qenë të pakta këto dy vitet e fundit: është shtuar rrsiku dhe janë shënuar njëkohësisht pakësimi i kapitaleve në qarkullim dhe një rënie e nivelit të huave financiare (dukuri që u vërejt dhe në Amerikë pas atij bumi në fjalë), një shtim të papunësisë dhe një fluks borxhesh që u ka kaluar afati dhe nuk janë paguar pranë bankave[10]. Meqenëse zhbillimi ekonomik i zonës është bazuar në shumë raste mbi eksportet drejt zonës euro, shihet rënia e këtyre eksporteve dhe rritja e importeve, çka ul më tej bilancin ekonomik të vendit. Një faktor i rëndësishëm është kutoa e borxhit publik kundrejt të huajve. Mbi të gjitha mes kombeve në krizë vërehet se rritja ekonomike e brendshme fillon të ndjehet duke nisur nga një borxh i jashtëm prej 60 përqind. Një shembull që provon këtë rregull është ai i Greqisë. Niveli i borxhit të jashtëm shqiptar është shenuar deri pak kohesh prej rreth 38.2 përqind e GDP[11]. Pra në një nivel të pranueshëm dhe jo shumë shqetësues, por mbetet shqetësues fakti se borxhi i jashtëm është duke u rritur pa ndalim, në dy vitet e fundit është shtuar me rreth 1.3 miliard euro. Por duhet thënë se është një iluzon të mendohet se rritja ekonomike çon në reduktimin e borxhit publik.  Në huadhënësit e këtyre viteve për Shqipërinë në rradhë të parë qëndrojnë bankat e Europës Qendore, duke nisur nga ato austraike. Statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave të qeverisë së ikur shqiptare tregojnë se borxhi publik në fund të gushtit 2010 ishte rreth 710 miliard lekë, dhe brenda fundit të këtij viti 2012 mund të shtohen në 30 miliardë të tjera, ndërsa për vitin 2011 parashihet të kalojë 800 miliardë lekët (rreth 5.8 miliardë euro). Por cila strategji mund ta shpëtojë Shqipërinë nga kriza që sjell borxhi publik i rritur? Ka nevojë për plan politik që ndërthuret me atë ekonomik, duke ndryshuar tipologjinë e huamarrjes nga borxhe për konsum në borxhe për investime, duke u përqëndruar mbi shtimin e aftësive prodhuese të vendit për të zëvendësuar importet me eksportet. Edhe në raportet e organizmave ndërkombëtarë, si FMN, hiqet vërejtja se qeveria shqiptare duhet të vërë nën kontroll financat publike, por jo me shkurtime spontane, por me një programim real të buxhetit. Këto shkurtime spontane rrisin rrezikun që qeveria të mos shlyejë detyrimet financiare për bizneset që kryejnë punët publike. Vërehet se qeveria shqiptare është kontradiktore në vizionin e saj mbi modelin e ekonomisë, teksa nga njëra anë mbron idenë e qeverisë së vogël me taksa të ulta, por ndërkohë vitet e kaluara ka rritur fort faturën e pagave dhe pensioneve, ndërkohë që mbledhja e taksave është përkeqësuar.[12] Varësia e Shqipërisë ndaj krizës është  eksopzuar edhe nga një faktor tjetër. Shqipëria ka lidhje të forta me Greqinë dhe Italinë, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar. Këto dy të fundit mund të rezultojnë në pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar. Borxhi i pashlyer në banka nga 3 përqind e totalit përpara krizës është gjashtëfishuar duke arritur në gati 18 përqind. Shkaku kryesor i përkeqësimit të kredisë është dobësia e institucioneve dhe sistemit gjyqësor në vend që pengojnë ekzekutimin e garancive. Zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të jetë një nga prioritetet kyç afatshkurtër të qeverise shqiptare qe arriti ti fitonte zgjedhjet ne menyre te bindshme. Ndikimi i thellimit të krizës së Eurozonës është konstatuar edhe nga ekspertët e ekonomisë shqiptare, të cilët thonë se kjo pritet të jetë një problem serioz për ekonominë shqiptare. Pasojat e para do të jenë në uljen e nivelit të rritjes ekonomike dhe uljen e numrit të të punësuarve.

Ardian Civici shprehet se “Nëse partneri ynë kryesor është BE dhe shtetet e veçanta të tij me të cilat kemi lidhje, çdo përkeqësim i situatës ekonomike e financiare në këto vende do të ketë ndikim të dukshëm në ekonomi”[13].

Aanstas Angjeli, ish-ministër ekonomie, thekson se një zgjidhje do të ishte kufizimi i shkëmbimeve tregtare me Greqinë dhe Italinë dhe rritja e shkëmbimeve tregtare me vende si Gjermania apo Franca: “Duke qenë që vazhdon të thellohet, do të rritet ndikimi i saj në ekonominë dhe financat shqiptare, pa hequr dorë nga bashkëpunimi dhe roli me Italinë dhe Greqinë, biznesi shqiptar duhet të orientohet edhe me partnerë të tjerë të rëndësishëm europianë”.

 Zef Preçi, njohës i ekonomisë, shprehet se kriza në Europë do të ulë nivelin e rritjes ekonomike, e cila parashikohet të jetë jo më shumë se 3.4 përqind: “Ekonomia shqiptare në 2-3 vitet që vijnë pritet të ketë rritje ekonomike të ngadalshme, deri nga 2014-2015 rritja ekonomike nuk do të kalojë shifrat 3.5%”.

Ndërkohë kriza financiare që po përjeton vendi fqinj, Greqia, ndikon ndjeshëm në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë. Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë gjenden në Greqi dhe të ardhurat prej tyre nga viti në vit kanë shënuar ulje. Rritja e papunësisë në Greqi ka bërë gjithashtu që, një pjesë e emigrantëve të kthehen në atdhe. Investimet greke në Shqipëri janë tkurrur në mënyrë drastike. Parashikohet që të ketë shkurtime të vendit të punës në 150 mijë brenda vitit 2015; më tej humbja e masës 345 euro në pensione, dhe përjashtimi nga pensionet i minoritarëve (të ardhura që do t’i mungojnë ekonomisë shqiptare).

Në ligjëratën e studiuesit të ekonomisë Jens Bastian në takimin e mbajtur nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare eshte vërejt se kriza greke po ndikonë në ngadalësimin e ritmeve të rritjes ekonomike shqiptare, si dhe procesin e integrimit në BE: Kjo ka bwrw tw  shfaqur vragat e ndikimit negativ në ekonominë e vendit për shkak të krizës greke. Në Greqi është rritur ndjeshëm papunësia, shumë emigrantë kanë ngelur të papunë dhe ata po kthehen në atdhe, ose po emigrojnë në vende të tjera në kërkim të punës. Janë ulur ndjeshëm të ardhurat nga remitancat dhe kjo rënie do të vazhdojë nëse kriza greke s’merr një zgjidhje të shpejtë. Bankat greke në Shqipëri po japin më pak subvencione për zhvillimin ekonomik dhe investimet greke janë bërë thuajse inekzistente. Shqipëria dhe rajoni konsiderohen të dobëta në tregjet e kapitalit dhe kjo ka sjellë një ulje të investimeve të huaja, si dhe zhvlerësim të monedhës vendase, e më tej: Shqetësimi kryesor është se, nëse kjo krizë nuk do të zgjidhet shpejt, Shqipëria rrezikon të ndrydhet mes dy vendeve fqinjë, që janë përfshirë nga kriza e borxheve sovrane, Greqisë në jug dhe Italisë në perëndim”[14].

Edhe në raportin e FMN konstatohet se kriza e Eurozonës mund të ketë pasoja të rrezikshme për shqiptarët, përshkak se, Shqipëria ka lidhje të forta me zhvillimet ekonomike të Greqisë dhe Italisë, e cila gjen shprehjen e saj, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar. Këto dy të fundit mund të rezultojnë në pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar[15]. Parë në këtë pikpamje duket se kriza është e theksshme në ambjentin finaciar shqiptarpër e shoqëruar edhe me tronditje psokologjike, spjeguar me ardhjen e emigrantëve shqiptar, të cilët shprehin në mënyrë të dukshme tronditjen e krizës së ekonomisë greke, në pakësimin e vëndeve të punës dhe ndihmës financiarë, që u japin të afërmëve të tyre në Shqipëri, ëshë tepër e kufizuar. Kjo, është kthyer tashmë në fenomen, sepse dikur shumë të rinjë që punonin në Greqi njëherash vazhdonin edhe shkollën në Shqipëri, por, kjo dëshirë është në zbehjen e saj më të plotë, që do të thotë këta të rinjë nuk konsumojnë dhe nuk investojnë më më në vendin e tyre. Pra janë një sërë arteriesh finaciare, në dukje si të parëndësishme, por në esencë ishin rrugë finacimesh, të cilat injektonin tregut shqiptar. Kriza në kushtet aktuale shqiptare mundet të zgjidhet përmes një rregulli, i cili është parapëlqyer të quhet i artë, praktikë e cila ka lindur e është zhvilluar fillimisht si një eksperiencë gjermane, e cila daton në vitin 1949, ndërsa aplikimi është shmangur për t`u krijuar mundësi shteteve të ndryshme që të tejkalojnë masën e pranuar të borxhit në funksion të koniukturave ekonomike e financiare. Regulli i artë i borxheve u diskutua me shumë seriozitet më tepër se një muaj në parlamentin spanjoll, i cili e miratoj me konsesnsus pothuaj absolut. Ky ligj synon, të evitojë çekujlibrimin e financave publike edhe kthimin në normalitet të ekujlibrit buxhetor, për më tepër ky ligj, është konceptuar si pjësë e kushtetutës spanjolle dhe aplikimi i tij sigurohet përmes një Ligji organik idetyrushëm për çdo qeveri që do të marrë pushtetin, duke siguruar ekujlibrin buxhetor, nëpërmjet përcaktimir të tavanit dhe dyshemesë finaciare. Kjo sigurohet përmes vendimarrjes politike, për  të eleminuar  nga lufta e saj borxhin publik dhe stabilitetin finaciar, duke rënë dakord të paktën për një kohë të caktuar, që treguesit financiave publike të jenë sa më të stabilizuara e në ballancim të mjaftueshëm.



[1] – Pauel Heyne  “Mënyrë ekonomike e të mendurit” Tiranë 1994, f. 507 “Ripërtëritia e Pasurisë”

[2] – Foreign Affairs, Turn to Experience” AmerivanMilitaryUniversity, Septembër / Octobër 2011, Volumi 90, Numër 5. F.34

[3] – Romanian Economic and Business Revieë, Summer 2011, Volume 6, Number 2, f.122

[4] – Internacional Conference: “ Economies in transition – during and after” 4 dicembër 2009, Conference Proceedings, session 3 – 4, Shkodër 2010, f. 94

[5] – Aurela Anastasi, Historia e Institucioneve, Tiranë 2005, f. 412 “ Karakteristikat e Institucioneve politike bashkëkohore të Britanisë së Madhe”

[6] – Tirli Mings Studimi i Ekonomisë, Tiranë 1991, f. 65 “ Sistemi i Ekonomisë”

[7] – Unioni i Ekonomistëve Shqiptarë, Konferenca e parë shkencore mbarëshqiptare, Tiranë 1999, f. 233, Rendi i ri Botëror dhe Integrimet në Rirenditjen Ekonomike,”

[8] – Unioni i Ekonomistëve Shqiptarë, Konferenca e parë shkencore mbarëshqiptare, Tiranë 1999, f. 233,,Kreditë Bankara” f.478

[9] -Unioni i Ekonomistëve Shqiptarë, Konferenca e parë shkencore mbarëshqiptare, Tiranë 1999, f.233,,Asistenca e huaj dhe tranzicioni” f. 489

 

[10] – Banka Shqiptare, “Shqipëria midis reformave të brendshme dhe integrimit europian” Tiranë 2001, f.101” Shipëria dhe Euro”

[11] -Banka Shqiptare, “Shqipëria midis reformave të brendshme dhe integrimit europian” Tiranë 2001, f.209, “Sistemi Financiar në Shqipëri”

[12] – Unioni i Ekonomistëve Shqiptarë, Konferenca e parë shkencore mbarëshqiptare, Tiranë 1999, f.487 “ Probleme të Sistemit Financiar”

[13] – Adrian Civici, Gazeta, Panorama” e shtunë, 10 shtator 2011, f.5

[14] – University of Vlora Ismail Qemal, Internacional Scentific Conference ( IFEBR 2011)  Analysis of Competitivess Situation in Albania, Vlorë 2011, f.480

[15] -University of Vlora Ismail Qemal, Internacional Scentific Conference ( IFEBR 2011)  Computer Reservation System and Global Distribution System”, Vlorë 2011, f.177

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.