Ese/ Urrejtja

Publikuar më: 03/12/2013 13:05

drita_lushiAq shumë jemi të dhënë pas lodrave në vegjëli, sa, nëse na i marrin ato, vëllai, motra, apo dikush tjetër, egërsohemi, bërtasim dhe qajmë. Përplasim këmbët, lakohemi në dysh, e me fjalët që sapo kemi filluar të mësojmë, të shqiptuara me vështirësi, flasim gjuhën tonë inatçore fëmijërore. Në koshiencën tonë fillformuar, ne  marrim inat  atë që na merr diçka, por s’dimë si ta shprehim me fjalën e duhur. Kjo është ndoshta një tis, apo disa kristale  “urrejtjeje” të bardha, të transmetuara  në trurin tonë nga ngacmues  të jashtëm, në formën e sinjaleve të alarmit, të humbjes së diçkaje që duam, duke bërë që  të reagojmë  fort kundër personit që na cënoi “pronën” tonë. Reagimi ndodh më shume me lot sesa me fjalë.

Ndoshta, kjo ështe “urrejtja” e parë e pavetëdijshme

Fillesat e saj, tashmë fëmija i ka të “stampuara” në memorie dhe vetëdijen e tij, e kjo do të bëjë që ai ta ketë të gatëshme, për t’a rizgjuar sa herë do t’i preket apo merret diçka, qoftë dhe nga një njeri shumё i dashur. Kjo ndodh qё në periudhen  kur ne shkojmë në kopsht. Moshatarët, që na marrin lodrat, na shtyjnë, na “shkulin flokët”, i shohim jo me  dëshirë, por me një ndjenjë perçmimi apo inati që mund të jetë një formë “urrejtje”, në shkallën fillestare, pa ditur se çfarë është kjo fjalë dhe ndjenjë në të vërtetë. Gjithashtu në shkollë, jemi të rrethuar nga nxënës apo studentë  të ndryshëm, nga mësuses, diku të butë,e  diku më të rreptë. Këtu fillon diferencimi  i nxënësve, apo i studentëve, me ose pa meritë. Ne, reagojmë me anë të pakënaqësisë ndaj këtyre veprimeve, ndonjëherë duke parë shtrembër mësues/en/in,pedagogun  që na hyn në hak, e i jep më shume se sa i takon atij nxënësit  tjetër, vetëm se ai, ështe i biri i filanit, që ka një post, apo i atij biznesmenit që ka shumё para. Pakënaqesia jonë lind në dy drejtime: ndaj mësuesit të padrejtë, dhe ndaj moshatarit, që vetëm pse fati i ka dhënë ca para, apo një prind me pozitë, ai duhet të marrë një vlerësim më të madh se sa i takon. Në shkollë, veç edukimit, mësojmë vetvetiu dhe  pakënaqësinë që është hapi i parë për të na çuar drejt një ndjenjë te re: urrejtjes. A ështe  urrejtja  ndjenjë?

Tek ndjenjat, fusim përgjithësisht  vetëm ato pozitive; si psh. Dashurinë, gëzimin, lumturinë, humanizmin, njerëzoren, etj.

Çdo  ndjenjë, lind në koshiencën tonë, pa na pyetur se kur dhe si.

Janё një sërë faktorësh të jashtëm, të cilët, me apo pa qëllim, ushtrojnë ndikimin e tyre mbi ne, duke bërë të lindë urrejtja,(meqë po flas për këtë ndjenjë, por kjo ndodh, me çfarëdo ndjenjë tjetër) për një person, për një dukuri, apo ngjarje të caktuar. Nё jetё, ështe “këmbana” e zemrës  që na transmeton “alarmet” pozitive ose negative, në trurin tonë.Pёr njё kohё, duket sikur ata flenё aty. Pastaj ne, si qenie me logjikë, mund t’i pranojmë këto sinjale e t’i përsosim, ti modifikojmë më tej, për mirë ose për keq, ose ti lëmë  statike, të paprekura, duke i vënë barrierë, dashurisë, urrejtjes, smirës, gëzimit etj. Pra urrejtja, është ndjenjë, ashtu sikurse dashuria, pavarësisht se ecin në kahe të kundërta dhe shtyjnë njëra-tjetrën në pole të paarritёshme.

Po marr njё shembull.

U rritëm me një televizion, me një orar të reduktuar programesh prej katër orësh.

Uleshim para tij, që kur shfaqej sigla e hapjes,e ndiqnim çdo fjalë deri në përfundim.

E ne, në fillesat ku mezi arrinim të kuptonim, e në  frymën e të vetmit kanal viziv, mundoheshim të përfytyronim se si ishte jeta “mjerane” e vendeve kapitaliste e, na dhimbëseshin ata.

Megjithëse, sa herë më duhej (megjithse fëmijë) të rrija në rradhë të gjatë per një kg. mollë, apo të  prisja  Vitin e Ri për gjërat që mund t’i ëndërroja veç në gjumë, i cili më merrte në krahët e tij, duke më qetësuar shpirtin  e lodhur nga njё dëshirë e ngatërruar me urrejtje te pa kuptimtë.

Kë urrenim vallë?

Vetëm “ata”!

Kishim “halë në sy” vendet kapitaliste-revizioniste  për “degjenerimin” e tyre, sepse kështu mësonim nga ato që shihnim, dëgjonim dhe lexonim. Konturet  e Shqipërisë, “që më mirë pranonte të hante bar” na bënin të shihnim deri tek hapi ynë. Eshtë e vërtetë që jeta, marrëdhëniet mes njerëzve, kontaktet e punës, përshirja në rrjedhën e përditëshme normale, na krijon shpesh pakënaqësi. Por a duhet t’i hapim rrugën me vetëdije, drejt urrejtjes?

Tashmë maturë, duke ia njohur vetes, pikat e forta e të dobëta, e kemi më të lehtë, t’i vëmë një mburojё, urrejtjes që lind për gjëra të parëndësishme, e të rëndomta, e shpesh pa shkak.

Tashmë s’jemi më ata fëmijët naivë me koshiencë të fillfomuar, por ndërgjegjia jonë është e mirëformuar. Pra, jemi të aftë të ndajmë se cilin kah duhet të ndjekim

Kur dikush të pushton vatanin,të merr lirinë, të vret, të plaçkit, jo vetëm urrehet, por edhe luftohet.

Liria shpirtërore, ështe po aq e shenjtë sa ajo fizike.

Vetëm këto  do t’i “justifikoja”, si urrejtje të ligjëshme, mbi tё cilat, gjithnjë duhet tё veprojё drejtёsia.

Por  s’mund kuptohet dhe të justifikohet grindja dhe urrejtja mes çifteve, të cilёt mund të përfundojnë në vrasje makabre, megjithëse jetojmë në shekullin e njëzet e një!! Kjo ndodh, sepse mungon, fjala, komunikimi pse jo dhe përgatitja, shkollimi apo gjendja ekonomike.

Eshtë edukimi, ai që vlen më shumë se gjithshka.

E ky, fillimisht merret jo vetem në shkollë por edhe në një shoqëri të hapur, me media dhe masmedia, ku shembujt janë para syve tanë.

Populli i zgjuar thotë:“Shih rrushi, rrushin dhe piqet”.

Rrushi si frut, piqet atëherë kur i vjen koha, e jo se sheh vreshtin fqinjë.

Por ne humanëve, një shembull i mirë, do të na bënte më të mire,

e një shembull i keq, do të na bënte edhe më keq, pra, dhe më të këqinj njëkohësisht.

Është e vërtetë që secili ka mendt’ e veta.

Por sado qe te qendrojme brenda sferes se mendimeve tona, perseri ajo (sfera) e humbet lemueshmerine dhe rrumbullaktesine perfekte, nga kontakti me mjedisin qe e rrethon. Pra, sa të mirë ose të këqinjё jemi, ndikon familja, shkolla dhe shoqëria. Këto, deri në njëfarë mase.

“Peshku qelbet nga koka”- thotë përsëri mençuria popullore.

Në fakt  peshku po u prish e u qelb, prishet e qelbet i gjithi.

Por koka,… ah koka!

Njerëzit e thjeshtë, e çdo person qe jeton i rrethuar nga ky intensitet jete, shtypi, mediash, apo reklamash nuk mund të kalojë indiferent, ndaj atyre, që këto të fundit servirin para nesh.

Sot, numri i televizioneve e radiove, rritet në porpocion me vitet.

Programet që ato transmetojnë nuk janë të reduktuara, as të redaktuara, e shpesh tё pakontrolluara fare.

Detyrohem shpesh, të  ndërroj kanalin e televizionit, sepse s’dua që ime bijë  të shohë si shahen dhe pështyhen parlamentarët, si rrihen me grushte, si flasin e replijkojnë me gjuhë rruge, që sjell veç urrejtje.

Gazetat, e shtypi i shkruar në faqet e para servirin vetëm lajme sensacionale të hiperbolizuara, vetëm e vetëm që shitja t’ju sigurojë rrogën gazetarëve …partiakё.

Ky është shembulli që merr një popull i tërë, nga ata që duhet të ishin virtytet shpresëdhënës, besues e inkurajues  i njerëzve.

Urrejta si ndjenjë, të shkatërron shpirtin, të prish qetësine, gjumin, gëzimin, lumturinë.

Urrejtja të bën të harrosh virtytin mё tё lartё njerёzor: dashurinë.

Pakënaqësitё e jetёs jam munduar t’i kaloj pa lënë gjurmë, e pa mbjellë urrejtje në shpirtin tim, apo të familjarëve dhe shoqërisë sime…

Televizion dhe gazeta, shoh dhe lexoj pak.

Per t’i “shpëtuar”kësaj rrapullnaje dhe çoroditjeje ku njeriu bëhet armik me tjetrin për hiç  gjë, futem në botën e fjalës së bukur, duke anashkaluar çdo hall, pakënaqësi apo problem te jetës.

Aty, harrohem brenda botës që jetoj, e lirë, e kёnaqur, dhe pa urryer.

Do ftoja në kёtë “harresё”, të gjithe ju, që nuk e doni urrejtjen.

Sepse, pa mendoni pak?

A ia vlen të urrejmë?

A do të na ndihmonte ajo, të zgjidhnim problemet, apo pakënaqësinë?

Përkundrazi, do të na çonte në shkatërrim e degradim njerëzor, do të na kthente në njerëz të vegjël.

Personalisht, e kam mbajtur dhe do ta mbaj larg këtë  “zonjë” me të zeza, sepse unë dua njё jetё me ngjyra.

Çfarëdo  të na kenë bërë, t’ju kenё bërë, mos e ujitni urrejtjen, qëndrojini larg, që të merrni frymë lirisht.

Gjuha e urrejtjes, ështe alfabeti që mësohet me lehtë, por që mezi harrohet, madje pasohet dhe nga egoizmi dhe hakmarrja.

Prandaj mos e merrni atë abetare.

Mos i mësoni as shkronjat e para, se truri njerëzor, ështe  i aftë të mësojë shumë  lehtë, aq më shumë kur si predikues e auditorë tё saj, janë politikanët, gazeta, e televizione.

Të rrish larg auditorëve të tillë, ështe gjëja më e mirë, për veten,por dhe per fëmijët  tanë.

E dini?

Se si më duket që po shkruaj për urrejtjen.

Nuk ndihem mirë, as rehat, madje po filloj të kem pak “frikë”!

“Ah, sikur!”… të mos  ekzistonte kurrё urrejtja!

Drita LUSHI

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.