Shkolla e Policisë, afati i ri për aplikim

Publikuar më: 04/01/2014 14:50

Policia-e-Shtetit11Policia e Shtetit publikon kriteret dhe dokumentet për aplikim

Periudha kur do të zhvillohet konkursi i pranimit

Për shkak të nevojave imediate, procesi i aplikimit të kandidatëve të interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, do të jetë i hapur deri më datë 20 janar 2014. “Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë pranë të gjithë Drejtorive të Policisë në Qarqe. Ndërkohë testimi me shkrim i aplikantëve, që plotësojnë kriteret për të ndjekur studimet në shkollën Bazë të Policisë, do të zhvillohet më datë 3 shkurt 2014’-thuhet ne deklaraten per mediat.

Kriteret

Kriteret që duhet të përmbushë aplikanti për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” janë:

- Të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë.

- Të ketë zotësi për të vepruar.

-Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

-Të ketë mbaruar shkollën e mesme.

- Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor.

-Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë.

-Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.

-Nuk ka të drejtë të aplikojë për t’u pranuar në polici personi ndaj të cilit është marrë masa disiplinore e përjashtimit nga Policia e Shtetit ose e largimit nga shërbimi civil.

Dokumetet që duhen dorëzuar

Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici:

-Formularin e plotësuar të aplikimit, të përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

-Fotokopje të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi.

- Kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme.

-Dëshmi penaliteti.

-Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B e cila, për gjininë më pak të përfaqësuar, mund të paraqitet në një afat kohor deri në 12 muaj pas fillimit të shkollës bazë të policisë. Nëse aplikantët nuk e paraqesin këtë dokument brenda 12 muajve, lirohen nga Policia e Shtetit. “Strukturat e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe do t’u japin të gjithë aplikantëve informacionin e nevojshëm për procesin e testimit si: shembuj pyetjesh, udhëzimet e testimit me shkrim, si dhe sqarime mbi mënyrën e plotësimit të fletës së skantronit.

Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit dhe Menaxhimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën policiaeshtetit@asp.gov.al. Çdo material i nevojshëm për procesin e aplikimit, është i pasqyruar në faqen e internetit të Policisë së Shtetit www.asp.gov.al, në rubrikën “Si mund të bëhesh punonjës policie””-thuhet ne deklaraten per mediat.

 Nga Osman Dedja 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.